BRUKSEL – BE kërkon lirimin e menjëhershëm të Navalnyt

BRUKSEL, 18 janar /ATSH-AFP/ – Shtetet anëtare të Bashkimit Europian dënuan sot arrestimin e opozitarit rus, Alexei Navalny dhe kërkuan lirimin e menjëhershëm, në një deklaratë të publikuar në emër të 27 vendeve të Bashkimit Europian nga kreu i diplomacisë, Josep Borrell.

Disa prej tyre kanë kërkuar miratimin e sanksioneve të reja kundër Rusisë, nëse thirrjet për lirimin e tij nuk zbatohen.

“Nëse Navalny nuk lirohet, ne duhet të parashikojmë vendosjen e masave shtrënguese në përgjigje të këtij akti”, theksoi kreu i diplomacisë së Letonisë, Edgars Rinkēvičs.

Kërkesa e tij është mbështetur nga Estonia dhe Lituania.

“Diskutimet janë në rrugën e duhur mes shteteve anëtare”, konfirmoi zëdhënësi i Josep Borrell.

Ai kujtoi se miratimi i sanksioneve të reja kërkonte unanimitetin e vendeve anëtare të BE.

Tema pritet të jetë në rendin e ditës për takimin e ministrave të jashtëm të BE të planifikuar për 25 janar.

“Politizimi i sistemit gjyqësor është i papranueshëm dhe të drejtat e Navalnyt duhet të respektohen”, denoncuan 27 vendet e BE-së në deklaratën e tyre të përbashkët.

“Ne gjithashtu u bëjmë thirrje autoriteteve ruse që të lirojnë menjëherë të gjithë gazetarët dhe qytetarët që janë ndaluar për raportimin e tyre dhe për mbështetjen e tyre ndaj Navalnyt  gjatë kthimit të tij”, shtojnë ata.

Drejtuesit europianë sanksionuan në tetor disa zyrtarë të lartë rusë për helmimin e kundërshtarit në mënyrë që të demonstronin qartë dëshirën e tyre për të mbështetur ligjin ndërkombëtar.

Arrestimi i Alexei Navalny, 44 vjeç, u dënua nga presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, nga presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli dhe nga Josep Borrell.

“Arrestimi i Alexeï Navalny në Moskë është një ofendim i bërë ndaj komunitetit ndërkombëtar, ndaj Europës, që ka kontribuar në shpëtimin e jetës së  tij”, theksoi Sassoli.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg iu bashkuan thirrjeve ndërkombëtare për lirimin e menjëhershëm të opozitarit rus.
Navalny akuzon Presidentin Vladimir Putin për urdhërimin e vrasjes së tij në gusht duke përdorur një agjent nervor ushtarak të tipit Novichok, të cilin Moska e mohon.
I kuruar në Gjermani, Navalny u kthye në Moskë pas pesë muajsh dhe u arrestua pas mbërritjes së tij./ /ec/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.