Gjonaj-Juncher: Reforma në Drejtësi, rezultate edhe në lidhje me antikorrupsionin

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj zhvilloi sot një bisedë me Hanne Juncher, sekretare ekzekutive e GRECO-s dhe shefe e departamentit të Veprimit kundër Krimit në KE.

“Ishte kënaqësi të shkëmbeja me Juncher rezultatet dhe zhvillimet në Shqipëri të reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit. Veçanërisht në fokus të bisedës ishin masat e marra të Ministrisë së Drejtësisë për të adresuar rekomandimet e raundit të 5-të të vlerësimit të GRECO-s dhe vijimi i angazhimit të qeverisë shqiptare për të arritur rezultate në luftën kundër korrupsionit”, tha Gjonaj.

Nga ana tjetër, Juncher siguroi se bashkëpunimi i mirë me GRECO-n do të vazhdojë edhe përgjatë kryesisë së saj, dhe shprehu bindjen se reforma në drejtësi do të japë rezultate e saj edhe në lidhje me antikorrupsionin.

Gjonaj informoi po ashtu se “gjatë këtij takimi u dakordësuam që ekspertët e GRECO-s të kontribuojnë në trajnimin e koordinatorëve të rrjetit antikorrupsion, një mekanizëm i ri që do të ndihmojë në identifikimin e rasteve të korrupsionit në agjenci qendrore dhe vendore”.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.