TIRANË, 13 janar /ATSH/ Konferenca e Kryetarëve miratoi sot programin e punës së Kuvendit për periudhën 18 janar – 26 shkurt dhe kalendarin trejavor të punimeve për periudhën 18 janar – 5 shkurt 2021.
Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
Në fillim të mbledhjes, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, pasi uroi për një sesion parlamentar të suksesshëm, njoftoi se hapja e sesionit VIII të legjislaturës IX, do të bëhet ditën e hënë, datë 18 janar 2021, në orën 17:00.
Konferenca miratoi programin e punës së Kuvendit për periudhën 18 janar – 26 shkurt 2021, kalendarin trejavor të punimeve për periudhën 18 janar – 5 shkurt 2021, si dhe kalendarin e paraqitjes në Kuvend të raporteve të organeve kushtetuese dhe atyre të ngritura me ligj për veprimtarinë e tyre për vitin 2020. Në mbledhje u vendos zhvillimi i seancave plenare në datat 28 janar dhe 4 shkurt 2021.
Në mbledhje u diskutua edhe për ndalesat në Kodin Zgjedhor dhe vendosi që të zbatohet legjislacioni përkatës.
Gjatë këtij sesioni mbledhjet e komisioneve do të vazhdojnë të zhvillohen online dhe seancat plenare do të zhvillohen me praninë fizike të deputetëve, duke respektuar protokollet e sigurisë për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve u zhvillua me anë të platformës së komunikimit elektronik “Cisco Webex”. /j.p/r.e/























