Mediu: Kërkojmë reciprocitet dhe respekt

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu kërkoi reciprocitet, respekt dhe vlerësim të njerëzve të Partisë Republikane.

Gjatë aktiviteti për prezantimin e 36 kandidatëve për deputetët të PR në qarkun e Tiranës, Mediu u shpreh se, “ne duam të fitojmë me Partinë Demokratike dhe i takon Partisë Demokratike që të paracaktojë dhe të tregojë se cilat janë rrugët e fitores, dhe e vetmja rrugë është rruga e ndershmërisë, për të pranuar se kush je dhe për të pranuar se me kë punon, për të ndërtuar një koalicion vlerash”.

Sipas tij, “e vetmja mënyrë për të ndërtuar një koalicion vlerash, elektorale dhe politike, është kur respekton dhe vlerëson peshën e çdo partie politike, dhe në mënyrë të padiskutueshme, kur arrin dhe gjykon së bashku, kush janë kandidatët që përfaqësojnë këto vlera, për t’a çuar jo thjesht opozitën përpara, por shoqërinë përpara, në mënyrë që në Parlament nesër, të jenë zëri i qytetarëve dhe i mundësisë për një realitet ndryshe, për të ndërtuar shtetin dhe jo vetëm thjesht të jenë në Parlament për t’i shërbyer pushtetit”.

“Po kërkojmë reciprocitet, respekt, vlerësim të njerëzve të Partisë Republikane, të historisë së Partisë Republikane, të peshës së Partisë Republikane dhe njëkohësisht të ideve të Partisë Republikane, sepse besojmë tek këto ide dhe këto vlera. Kjo është trupa elektorale e Partisë Republikane. Këta do të jenë kandidatët, ju do të jeni kandidatët, në çdo qendër votimi, për të punuar të gjithë së bashku”, tha Mediu.

Mediu shtoi se, “e djathta duhet të bashkohet, por jo për të shërbyer si aneks apo qoshe rehatie për këdo politikan apo parti politike. E djathta duhet të bashkohet në radhë të parë në çdo qendër votimi, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Mediu.

“E djathta e ka të domosdoshme të ndërtojë në radhë të dytë një koalicion vlerash, ku idetë tona krijojnë shpresë dhe besim. Nuk është e mjaftueshme që të tregojmë vetëm se sa i keq është Edi Rama. Është e domosdoshme të tregojmë që ne kemi forcën për të bashkuar shqiptarët kudo që janë, për t’a bërë Shqipërinë Europiane, për të krijuar shanse dhe mundësi të reja”, tha në fjalën e tij Mediu. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.