TIRANË, 11 janar/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi deklaroi sot se pavarësisht se kemi sasi reshjesh gati dyfish krahasuar me vitin 2010, kemi shumë më pak sipërfaqe toke nën ujë.
Ekonomi gjatë një interviste në medie tha se prurjet në vitin 2010 ishin rreth 2 mijë m3/s, ndërsa këtë vit llogariten 4 mijë m3/s.
Nëse sot kemi një situatë të tillë, tha ajo, kjo ka ardhur si pasojë e një menaxhimi të situatës dhe marrjes së përgjegjësive nga secili ent publik.
“Kemi mbajtur hidrovoret në punë, kemi investuar dhe i kemi mbajtur në monitorim argjinaturat e lumenjve, si dhe kemi kryer në kohë reale pastrimin e kanaleve kulluese nga inertet që vijnë nga prurjet”, tha Ekonomi.
Ekonomi tha se investimet që ka bërë MBZHR llogariten gjatë vitit 2020-2021 mbi 1 miliard lekë në kanalet e ujitjes dhe kullimit dhe se janë kryer riparime të herëpashershme në hidrovore. Në Shkodër, tha Ekonomi, nesër nis shpërndarja e ushqimit për bagëtinë për 10 ditë.
Njëkohësisht, Ekonomi theksoi se ka nisur edhe shpërndarja e pakove ushqimore për familjet që kanë nevojë.
“Janë shpërndarë 600 pako ushqimore në Lezhë, 400 pako ushqimore në Durrës dhe nesër nis shpërndarja e 400 pakove në Shkodër”, deklaroi Ekonomi. /r.e/






















