Ballina Flash

Rikualifikimi i monumenteve të kulturës/ 15 kala do ndriçohen në të gjithë Shqipërinë

TIRANË, 9 janar/ATSH-Bledi Naska/ Rijetëzimi dhe rikualifikimi i monumenteve të kulturës mbetet prioritet i Ministrisë së Kulturës edhe për vitin 2021.

Në kuadër të këtij projekti 15 kala do të ndriçohen në të gjithë Shqipërinë duke i kthyer krenarinë e harruar.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila shprehet se dhe Kalaja e Lezhës do të ndriçohet për të nxjerrë në pah vlerat e saj.

“Kalaja e Lezhës, ky monument i rrallë që i ka mbijetuar shekujve do të marrë një vlerë të shtuar falë projektit të ndriçimit, i cili do të nxjerrë në pah trashëgiminë kulturore, historike, arkitekturore”, shprehet Margariti.

Falë këtij projekti në kalanë e Lezhës do theksohen dëshmi ilire, romake dhe orientale. Rrënojat e kullave, ndërtesave dhe xhamisë dalin në dritë dhe në mbrëmje falë teknologjisë së avancuar që do përdoret.

Gjithashtu dhe Kalaja e Shkodrës do të ndriçohet përmes lojës së dritave ku vizitorët vendas dhe të huaj do kenë mundësi ta vizitojnë atë dhe gjatë mbrëmjes.

Kalaja e Lezhës ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit. Kalaja ka origjinë ilire. Në kala mund të shikohen gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane. Objektet më interesante për t’u vizituar janë rrënojat e ndërtesave osmane brenda kalasë, xhamia, kulla në murin juglindor me një hark romak dhe kulla ilire në murin jugor. Kalaja e Lezhës është monument kulture. Prej saj shihet një pamje mjaft e bukur e fushës së Lezhës dhe e detit Adriatik. /a.a/

 

 

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTreguesi i besimit të biznesit në sektorin e industrisë rritje me 7.7%
Artikulli tjetërMasat antiCOVID/ Dezinfektohen shkollat dhe kopshtet në Roskovec, gati për të pritur nxënësit