TIRANË, 6 janar/ATSH/ Eksportet e mallrave drejt Spanjës gjatë periudhës janar-nëntor të viti 2020 llogariten mbi 15.3 miliardë lekë.
Referuar të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në raportin për tregtinë e jashtme rezulton se grupi minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike zë peshën më të madhe të eksporteve gjithsej.
Gjatë kësaj periudhe, drejt Spanjës janë importuar mbi 12.7 miliardë lekë minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike.
Ndërkohë, për shkak të kufizimeve për parandalimin e përhapjes së infeksionit të COVID-19 vihet re një rënie me mbi 2 herë e eksporteve të grupit tekstile dhe këpucë.
Eksporti i këtij grupi ra në 998 milionë lekë nga 2.1 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Vlera e mallrave të importuara nga Spanja gjatë periudhës janar-nëntor llogaritet gati 9 miliardë lekë.
Industria e kromit në Shqipëri po përballet me pakësimin e përshpejtuar të rezervave të kromit, tregtimit të tij në trajtën e mineralit me vlerë të shtuar të ulët.
Niveli aktual i shfrytëzimit dhe nxjerrjes së mineralit pengon realizimin e investimeve në sektorin e përpunimit dhe vë në dyshim mundësinë e rikuperimit të investimeve të kryera deri më tani dhe atyre të reja për të ardhmen.
Për këtë arsye qeveria e pa të nevojshme përdorimin e instrumenteve të politikës fiskale, që të stimulojë eksportin e produkteve të përpunuara dhe të frenojë/racionalizojë tregtimin e mineralit bruto.
Në fund të vitit 2020 qeveria shqiptare miratoi heqjen e rentës minerare për një periudhë 3-vjeçare grupin e mineraleve metalore që përpunohen në vend. /a.a/r.e/






















