Ballina Aktualitet

Dita e Rinisë/ Meta: Besoj në shpirtin energjik të të rinjve dhe aftësitë e tyre për ta transformuar cilësisht të ardhmen

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta uroi sot 8 Dhjetorin, “të bekuarën Ditën Kombëtare të Rinisë, Ditën e Studentëve, Ditën e Misionarëve që vranë frikën për të ndezur Pishtarin e Lirisë dhe Demokracisë në vendin e shqiponjave”.
Përmes një mesazhi urimi në Ditën e Rinisë, Meta tha se “sot përulemi me mirënjohje të veçantë ndaj Lidershipit Heroik të Azem Hajdarit dhe atyre djemve e vajzave, të cilët u përplasën të parët me Dhunën e regjimit, duke frymëzuar një popull të tërë për kryengritje paqësore”.
“Nderojmë shpërthimin e vullkanit të guximit marramendës rinor për të përmbysur regjimin më të ashpër izolues dhe shtypës në kontinent, por ndihemi dhe po aq borxhlinj që në tre dekada nuk kemi bërë aq sa duhet për të qenë aty ku e meritonin sakrificat e tyre”, tha Meta.
Presidenti u shpreh se “është koha për restart, për rivendosjen e Demokracisë dhe Llogaridhënies për ta bërë Shqipërinë, si gjithë Europa”.
“Unë besoj shumë në shpirtin energjik të të rinjve të Shqipërisë dhe në fuqinë e aftësive të tyre për ta transformuar dhe përmirësuar cilësisht të ardhmen e popullit tonë. Koha për restart. Për të guxuar! Për t’u bashkuar! Që rinia të marrë në dorë fatet e saj dhe të mbarë vendit! Nëse jo Rinia, kush tjetër? Nëse jo sot, kur? Do t’ia dalim me sukses sepse nuk kemi rrugë tjetër”, tha ai.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak8 dhjetori ’90/ Shehu për ATSH: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” aktuale në Shqipëri, duhet përsëritur
Artikulli tjetërLëvizja Studentore/Ambasada e SHBA: Një ditë për të vlerësuar përparimin që është bërë në këta 30 vjet nga Shqipëria