“Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë”/ 108-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/- Shqipëria feston sot 28 Nëntorin, 108 vjet nga shpallja e Pavarësisë. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.

Kjo datë do të shënonte dy momente të veçanta për historinë e vendit tonë. Në vitin 1443, më 28 nëntor heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e saj.

Ndërsa më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.

Presidenti Ilir Meta ka përcjell urimin në  Ditën e Flamurit Kombëtar, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

“Të punojmë dhe angazhohemi çdo ditë për ta mbrojtur simbolin tonë të shenjtë dhe përbashkues, të valvitet krenar në këto troje, i pastër dhe i paprekur, njësoj si gjaku i derdhur për të, nga bijat e bijtë më të mirë të kombit. 108 vite janë mjaftueshëm për të dëshmuar pjekurinë dhe seriozitetin e një shteti modern, për përmbushjen pa vonesë të aspiratës popullore dhe misionit të nisur në 28 nëntor 1912, nga Ismail Bej Vlora dhe gjithë etërit e Pavarësisë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Urime për 28 Nëntorin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit. Zoti e bekoftë Flamurin Kombëtar dhe shqiptarët kudo ndodhen”, shprehet Meta.

Në 108-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama ka përcjellë urimin e tij duke cituar një shprehje të Ismail Qemalit: “Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë. Rroftë flamuri! Rroftë Shqipëria”.

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, uroi sot të gjithë shqiptarët për festën e pavarësisë.

“Më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi, duke e shpallur flamurin e Shqipërisë të pavarur nga Perandoria Osmane. Jetë të gjatë Shqipërisë së Pavarur! Jetë të gjatë shpirtit kurajoz të Qemalit & Skënderbeut! Gëzuar Ditën e Pavarësisë, miq të dashur shqiptarë!”, – tha Kim.

Ambasadori i Bashkimit Europian  në Tiranë, Luigi Soreca ka uruar për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shqipëri! Këtë vit nderojmë shqiptarët që kanë humbur betejën e tyre kundër COVID-19 dhe sakrificën e mjekëve dhe infermierëve shqiptarë që janë në vijën e frontit çdo ditë. Bashkimi Europian qëndron pranë popullit shqiptar”, shprehet Ambasadori Soreca.

Ambasada e Greqisë në Tiranë shprehet në mesazhin e urimit: I urojmë Shqipërisë fqinje dhe mike dhe të gjithë popullit shqiptar, Gëzuar dhe për Shumë Vjet Festën Kombëtare të vendit.

 

Ambasada e Italisë në Tiranë ka uruar me rastin e 108 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ambasada e Italisë në Tiranë “i bën urimet më të mira popullit shqiptar, duke kujtuar edhe viktimat e shkaktuara nga pandemia si edhe personelin shëndetësor që rrezikon jetën për t’u përkujdesur për të sëmurët. Bashkë do t’ia dalim! Gëzuar Festën, Shqipëri”.

Ambasada ruse në Tiranë bën të ditur se me rastin e Ditës së Flamurit, Presidentit Rus Vladimir Putin i ka dërguar një telegram urimi Presidentit Ilir Meta ku shprehet se “jam i bindur se zhvillimi i marrëdhënieve ruso-shqiptare do t`u përgjigjej interesave të popujve të vendeve tona dhe tërë kontinentit Europian”.

Gjithashtu, ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov i ka dërguar telegramin e urimit Kryeministrit, Ministrit të Punëve të Jashtme, Edi Rama ku shprehet: “jam i bindur se aktivizimi i kontakteve midis ministrive të punëve të jashtme të vendeve tona do të kontribuojë në zhvillimin e marrëdhënieve ruso-shqiptare si edhe do t`i shërbejë përforcimit të paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe në mbarë Europën”.

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i dërgoi sot urimet më të përzemëra çdo shqiptari kudo në botë.

“Këtë mëngjes e çelëm së bashku me Bujar Osmanin dhe Meliza Haradinajn, Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut e Ministren e Jashtme të Republikës së Kosovës, me nderim të përulur për flamurin kuq e zi, bashkëndjenjë të thellë e vetëdije të plotë për rrugëtimin e përbashkët si komb shqiptar dhe, natyrisht, me urimet më të përzemërta për çdo shqiptar, kudo në botë”, – theksoi Cakaj.

Në Ditën e Pavarësisë, edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka përcjellë mesazhin e urimit veçanërisht për efektivët e Policisë së Shtetit.

“Festa Kombëtare e Shqipërisë dhe e gjithë shqiptarëve më jep rastin që, nëpërmjet Himnit të Policisë së Shtetit, të përcjell urimet për të gjithë, e në mënyrë të veçantë për punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Zjarrfikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, të agjencive të tjera dhe Administratës së Ministrisë së Brendshme”, theksoi ministri Lleshaj.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i ka dërguar telegram urimi Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, për Ditën e Flamurit.

‘’Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, ishte ngjarja më e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar që nga nëntori i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Dita e Flamurit – 28 Nëntori është ditë e secilit shqiptar, pavarësisht ku jeton a punon. Kjo ditë na i përkujton sakrificat e mëdha dhe luftën e përhershme që kemi bërë gjatë gjithë historisë për ta ruajtur të paprekshme frymën e qenies sonë nacionale’’, theksohet në urimin e Hotit.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.