Zgjedhjet e 25 prillit/ Mediu për ATSH: Opozita do të shqyrtojë çdo rrugë, për të optimizuar dhe maksimalizuar votën

TIRANË, 28 nëntor /ATSH-Gjergji Mima/ -Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu deklaroi në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se,

I pyetur nëse ka arritur Partia Republikane një marrëveshje me Partinë Demokratike për të dalë me një listë të përbashkët për zgjedhjet e 25 prillit, mediu u shpreh se, “Opozita është e bashkuar në të gjithë subjektet përbërëse të saj në një marrëveshje që është nënshkruar që në vitin 2019, e cila besoj që ardhur koha duhet të detajohet në një program të përbashkët politik, angazhim qeverisës dhe një formulë elektorale që i shërben optimizimit të votave të opozitës”.

Në lidhje me mundësinë që brenda opozitës, LSI dhe disa parti të tjera të garojnë me listë të veçantë, jo me listën e PD-së, Mediu theksoi se, “opozita pa dyshim do të shqyrtojë çdo rrugë, për të optimizuar dhe maksimalizuar votën në favor të opozitës.

“Pra mbështetjen e qytetarëve shqiptarë ta shikojë në të gjithë spektrin opozitar që është sot, nga e majta në të djathtë, edhe ata që janë të pavendosur, për t’i kthyer në votues dhe në mandate të opozitës”, u shpreh Mediu.

Pra, theksoi ai, “çdo gjë do të synojë jo vetëm thjesht në optimizimin e votave, por në kthim në mandate për subjektet elektorale të opozitës”.

“Nuk ka një vendim akoma se kush do të jetë formula e daljes, por besoj në interesin tonë politik është ajo çfarë thashë më sipër”, theksoi ai.

I pyetur nëse nuk arrihet një marrëveshje me PD, a është i gatshëm të krijojë një pol të tretë me partitë e tjera të djathta dhe ato që janë krijuar rishtas, Mediu tha se, “Partia Republikane ka një marrëdhënie 30 vjeçare me Partinë Demokratike. Jo thjesht me lidershipin, por me demokratët dhe republikanët dhe të djathtën shqiptare. Dhe do bëjë ç’është e mundur që e djathta të jetë në një koalicion të vetëm të gjitha partitë që janë në të djathtën. Madje ne kemi dhe spektër të majtë”.

“E rëndësishme është që partitë politike, ekzistuese apo të reja, në qëllimin e tyre elektoral duhet të kenë të qartë atë që është interesi i të gjithëve, që votat që merren nga partitë politike duhet të kthehen në mandate. Ato vota që nuk kthehen në mandate dhe i hiqen opozitës, shkojnë dyfish në interes të Edi Ramës.

“Prandaj, duke lënë mënjanë të gjitha diferencat që kemi për t’i shërbyer interesit të vendit për të larguar këtë qeveri ne duhet të shikojmë çdo lloj koalicioni që maksimalizon dhe jep mandate për opozitën”, u shpreh ai.

Në lidhje me objektivin e PR në zgjedhjet e 25 prillit, Mediu u shpreh se, “Partia Republikane ka 30 vjet në jetën parlamentare të vendit. Synimi i Partisë Republikane është synimi i një grupi parlamentar republikan”.

I pyetur nëse do të ketë PR kandidatë në të gjithë qarqet brenda listave të PD, ai u shpreh se, “interesi elektoral vetëm i Partisë Republikane është që Partia Republikane të garojë më vete. Interesi politik dhe interesi i të djathtës shqiptare dhe i shoqërisë shqiptare është që ne të dalim në koalicion. Dhe brenda kësaj do të përcaktohet pastaj sesi dhe qysh do të dalin me kandidatë subjektet përkatëse”.

“Partia Republikane është e përgatitur që të kandidojë në 140 vendet që janë në nivel qarqesh, por gjithmonë duke konsideruar një bashkëpunim politik me opozitën dhe brenda asaj marrëdhënie që është e qartë të përcaktohet nga pesha elektorale historike e Partisë Republikane, por edhe autoritetet që kandidojnë theksoi Mediu.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.