TIRANË, 25 nëntor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Lulzim Basha takoi sot kryetarin e komunës Dibër e Madhe (Maqedonia e Veriut), dr. Hekuran Duka.
Pas takimit në një prononcim për mediet, Basha u shpreh se bashkërisht kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në veçanti mes Dibrës së Madhe dhe Tiranës, ku prioritet kryesor mbetet përfundimi i “Rrugës së Arbit”, si dhe thellimi i marrëdhënieve ekonomike, kulturore që do të sjellë afrimi edhe fizik i Tiranës me Dibrën e Madhe.
Në vijim, Basha shtoi se me Dukën ka diskutuar dhe për projekte të tjera të përbashkëta ku theksoi vendosmërinë e PD-së që këto ditë të vështira për shkak të pandemisë t’i kalojmë me një solidaritet shembullor mes shqiptarëve dhe të ndërtojmë një të ardhme plot me shpresë për shqiptarët kudo që jetojnë, për kombin shqiptar dhe në këtë kuadër të avancojmë të gjitha projektet që do përmirësojnë ekonominë, punësimin dhe mirëqenien në të gjithë trevat tona.
Nga ana e tij, kreu i komunës Dibër e Madhe, dr. Hekuran Duka tha se ne e konsiderojmë këtë takim si takim me vëllezërit dhe motrat tona shqiptare. “Jemi të interesuar që politika shqiptare të jetë me aktive në vendosjen e bashkëpunimit e sidomos atij kombëtar dhe ekonomik”, theksoi ai
Në vijim, kreu i komunës Dibër e Madhe, Duka tha se projektet që përmendi Basha janë projekte për ngjalljen e trevës së Dibrës.
“Dihet që treva e Dibrës për një kohë të gjatë ka qenë një zonë ku nuk ka zhvillim të duhur ekonomik megjithëse kontributi i Dibrës me vlerë kombëtare është mjaft i theksuar dhe evident. Presim nga të gjitha partitë shqiptare dhe faktorët politikë shqiptarë t’i kthehen kësaj treve dhe ka filluar ky interesim edhe me fillimin e “Rrugës së Arbit”, që ne e shohim si një shpresë të madhe për zhvillimin ekonomik të asaj zone. Gjithashtu, projekte të tjera që i përmendi kryetari në të ardhmen do të jenë realitet, por duhen me një intensitet më të lartë që ne të kemi integrimin brenda shqiptarëve që ai të bëhet realitet sa më shpejt që më së voni të mbërrihet dhe tek integrimi euroatlantik”, tha Duka.
Po ashtu, Duka shtoi se “ne do jemi në kontakt edhe me parti të tjera politike dhe të jetë faktorë që veprojnë në Shqipëri. por jemi të interesuar që politika shqiptare të mbajë frymën e lartë të patriotizmit dhe kombëtarizimit”. /j.p/r.e/























