TIRANË, 12 nëntor /ATSH – I. Vata/ Ish-deputeti i PD Luan Baci ka denoncuar sot defektin në laboratorin e Poliklinikës në Fier, duke e konsideruar si situatë kaotike, ndërsa thekson se qytetarët janë në radhë të gjata për të bërë testin e COVID-19.
“Janë me dhjetëra familje, me të gjithë pjesëtarët e tyre të infektuar dhe të pa identifikuar të pa regjistruar askund, askush nuk interesohet për ta. Marrin mjekimin vetë, duke telefonuar mjek me njohje personale, në të shumtën e rasteve, jo mjek infeksionist. Kurohen në shtëpi, duke paguar infermierë shumë shtrenjtë për injeksionet. I blejnë ilaçet vete, ata që munden, pjesa dërmuese nuk ka mundësi dhe pinë vetëm paracetamol dhe çaj”, tha ai.
Po ashtu, Baci shton se janë me qindra ata që e dinë që janë me Covid, por lëvizin lirshëm nëpër qytet, pa u mjekuar dhe aq më tepër pa u karantinuar.
“Mësues që detyrohen të venë në mësim, edhe kur njoftojnë se janë të infektuar. Vdekje pacientësh, qytetarë fierakë me Covid që i njohim mirë dhe nuk raportohen si të tillë. Prej një jave dyndje qytetarësh në poliklinikën e Fierit! Për shkak të një defekti në laboratorin e analizave mjekësore kryhet vetëm një numër i ulët i diagnostikimeve, ndërkohë që numri i qytetarëve që presin në radhë është me dhjetëra çdo ditë”, tha ai. /r.e/























