TIRANË, 11 nëntor /ATSH – I. Vata/ “Ne kemi ofruar zgjidhje me disa propozime. Nëse këto do ishin adoptuar nuk do të kishim këtë situatë”, deklaroi kryetari i PD-së Lulzim Basha gjatë takimit të zhvilluar sot me disa qytetarë që e kanë kaluar COVID-19.
Pas dëgjesës me qytetarët të cilët treguan situatën e vështirë të kaluar nga COVID-19, Basha tha u bëri apel atyre që të ruhen, ndërsa tha se qeveria duhet të bëjë detyrën e saj.
“Ka mungesë testimesh dhe Shqipëria është vendi me testime më të ulëta në botë që përgjegjësia kryesore e qeverisë. Qeveria e ka keqmenaxhuar pandeminë dhe ka qenë një dështim total që fillon me mungesën e testimeve. Dhe sot që flasim Shqipëria ka numrin më të ulët të testimeve në Europë dhe numri i të infektuarve po rritet nga dita në ditë dhe numri i të infektuarve të paraportuar është 2-3 herë më i lartë nga ai që raportohet”, tha Basha.
Mbi kostot e trajtimit të COVID-19 nga qytetarët Basha theksoi se ata nuk kanë mundësi të përballojnë trajtimin që shkon gati 2 milionë lekë.
“Shifra prej 2 milionë lekësh që u tha këtu nuk ka askush mundësi ta përballojë. Pyetja shtrohet si kurohen këta njerëz? Në mëshirë të kujt janë lënë, në mëshirë të fatit. Kjo do të thotë që të dënosh njerëzit me vdekje dhe për këtë fajin e ka qeveria e ka kryeministri dhe nuk mund të fshihet pas asnjë komiteti, sepse vendimet i merr qeveria. Një tjetër problem ka të bëjë më kushtet e spitaleve. Kemi gjithë këto javë që i kërkojmë të hapi spitalet rajonale dhe të mos të vijnë të përplasen në Tiranë. Ka muaj që e ka prezantuar hapjen e COVID 4 Kryeministri, po nuk ka COVID 4 dhe njerëzit janë të paketuar me 4-5 veta në sallë”, tha Basha.
“Shqetësimi kryesor që kam sot, është që në të gjitha këto të këqija që po na ndodhin, me shumëfishimin e rasteve të infektimit, me numrin më të lartë të viktimave të raportuara, prapëseprapë nuk shoh asnjë reflektim nga ana e qeverisë. Asnjë plan nga ana e Kryeministrit, asnjë masë për të ndihmuar njerëzit. Se shumë prej njerëzve do ta kalojnë në shtëpi. Detyra e qeverisë është që këta që e kalojnë në shtëpi, mos t’u mungojnë barnat. Detyra e qeverisë është që të paktën sëmundja, që është një e keqe në vetvete, mos të kthehet në një mallkim të dyfishtë dhe t’i shkatërrojë fare ekonomikisht familjet shqiptare që edhe kështu, edhe pa sëmundje, ekonominë e kanë më të rrënuarën në Ballkan, më të rrënuarën në Europë”, theksoi Basha. /r.e/






















