TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se, në rrënojat e shkollës “Sami Frashëri” 10 ditë pas inaugurimit të punimeve nuk punon askush.
Tabaku renditi disa pyetje që sipas saj, nuk kanë ende përgjigje.
“Pse shkolla Sami Frashëri u prish në mes të pandemisë në 24 prill pa pasur një projekt? Pse shkolla Sami Frashëri kushton 4.5 milionë euro, ndërkohë që shkollat e tjera të ngjashme, të cilat ndërtohen me fondet e BE-së kushtojnë 700 mijë euro? Pse gënjeu Ahmetaj dhe Veliaj kur thanë që kjo shkollë do të ndërtohet me fondet e BE-së, ndërkohë që BE-ja konfirmon të kundërtën? Kush janë firmat që fshihen pas ndërtimit të shkollës “Sami Frashëri”?”, u shpreh Tabaku
“Shkolla “Sami Frashëri” është thjeshtë një shembull korrupsioni, babëzie, paaftësie dhe arrogance që Bashkia e Tiranës ofron çdo ditë për qytetarët e saj. Dhe nuk kishte si të ishte ndryshe, sepse fotokopja në krye të bashkisë do të bëjë të njëjtën gjë që bën edhe kryeministri”, u shpreh Tabaku.
Pas kësaj deklarate, reagoi kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duke publikuar video live nga puna që po bëhet për rindërtimin e shkollës “Sami Frashëri”.
Veliaj ka ironizuar Tabakun dhe Kryemadhin duke deklaruar se “nuk është problem që u çmendën, por u çmendën të dyja njëherësh”.
“Cytet Mona me Jorin kush do thotë marrëzinë më të madhe, budallallëkun më epik, histerinë më ekstreme. Boll se latë nam – a keni cipë, a skuqeni para fëmijëve, a keni turp, a keni familje?”, shprehet Veliaj krahas videos live nga kantieri te “Sami Frashëri”.