TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit (OFL) i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 4 shtetasve.
Konkretisht OFL i ka dërguar kërkesë B. (K.) M., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim; U. P., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”; N. L., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe B. S., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë. /k.s/j.p/r.e/






















