Ballina Aktualitet

Celibashi takon përfaqësues të shoqërisë civile: Platformë informuese për qytetarët dhe raportim të parregullsive në zgjedhje

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi priti në takim përfaqësues të shoqërisë civile, Megi Reçi, koordinatore e projektit Civil Rights Defenders (CRD) zyra e Shqipërisë, Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike (ISP) dhe Erida Skendaj, drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH).

Mbështetja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për projektin “Unë marr Pjesë! Zëri im. Vota ime Vlen!”, ishte fokusi i takimit. Ky projekt do të zbatohet për zgjedhjet parlamentare 2021, nga tre organizatat e shoqërisë civile CRD, ISP dhe KSHH, dhe synon të fuqizojë qytetarët dhe shoqërinë civile që të angazhohen, të promovojnë, të advokojnë dhe monitorojnë proceset demokratike.

Projekti synon gjithashtu krijimin e një aplikacioni celular (mobile app), që do të shërbejë si një platformë informuese për qytetarët, por edhe si mundësi që ata të raportojnë parregullsi/shkelje në lidhje me procesin zgjedhor.

Celibashi u shpreh se do të intensifikohen marrëdhëniet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore. Shoqëria Civile është partner i rëndësishëm i KQZ-së, ndaj në të ardhmen synohet institucionalizimi i këtij bashkëpunimi.

Komisioneri konfirmoi angazhimin e tij, për të ofruar transparencë maksimale të veprimtarisë së KQZ-së dhe për të punuar ngushtësisht pa asnjë lloj kufizimi me aktorët e shoqërisë civile të përfshirë në procesin zgjedhor. /a.a//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKPA ndryshon vendimin e KPK/ Vendos konfirmimin në detyrë të gjyqtarit, Fuat Vjerdha
Artikulli tjetërRindërtimi i shtëpisë së At Gjergj Fishtës deri dje copë-copë, dallimi në çdo fushë mes Shqipërisë që kishim dje e që kemi sot