Projektbuxheti 2021 synon rimëkëmbjen/ Rritja ekonomike 5.5%, investimet publike 7.2% e PBB-së

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikoi sot projektbuxhetin për vitin 2021, përmes së cilit synon rimëkëmbjen ekonomike të vendit pas dy fatkeqësive natyrore, tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia e shkaktuar nga COVID-19.

Kjo rimëkëmbje, thuhet në relacionin e p/buxhetit do të kryhet përmes skemave të nxitjes së punësimit, mbështetjes proaktive ndaj biznesit, rindërtimit të plotë të banesave të qytetarëve të prekur nga tërmeti si dhe masave parandaluese të përhapjes së mëtejshme të COVID-19.

“Pas recesionit të fortë në vitin 2020, aktualisht i parashikuar në -6.1%, ekonomia pritet të rikuperohet në vitin 2021 dhe të vijojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme. Rritja ekonomike parashikohet në 5.5% në vitin 2021 dhe parashikohet të vijojë të qëndrojë afër nivelit prej 4.9% përgjatë periudhës afatmesme në vijim”, thuhet në relacion.

Rritja ekonomike parashikohet në 4.8 dhe 4.5% respektivisht për vitet 2022 dhe 2023.
Norma e papunësisë parashikohet me ulje në 2021-n në nivelin 12.2% krahasuar me të pritshmin e vitit 2020 prej 13.9%.

“Rritja ekonomike dhe punësimi, do të mbështetet edhe nga objektivi tjetër i planifikuar në këtë buxhet, ai i sigurimit të një niveli të lartë të investimeve publike prej 7.2% e PBB”, bëhet e ditur në relacionin e p/buxhetit.

Në vitin 2021, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 479 miliard lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 437 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 311 miliard lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet planifikohen 99,7 miliardë lekë.

Për shpenzimet publike për vitin 2021 janë planifikuar 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB.

Totali i investimeve publike për vitin 2021 planifikohet në masën 7.2% e PBB ose 120.6 miliardë lekë, përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 27 miliardë lekë. Në planifikimin e investimeve për vitin 2021 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm.

Ashtu, si edhe në vitin 2020, dhe në vitin 2021, thuhet në relacion, do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.