“Meta ka dalë komplet nga shinat e funksionit”/ E turpshme dhe sëkëlldisëse për të gjithë ta kemi në zyrën e Presidentit

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar fatkeqësi përshkallëzimin e dhunës verbale nga Presidenti Ilir Meta.

“Është vërtet fatkeqësi që përshkallëzimi i dhunës verbale dhe i marrëzisë nga ana e Ilir Metës po ndodh shumë përpara kohe, në një kuptim. Nuk e di ku do të shkojë kaq herët sa ka filluar, sepse nuk është hera e parë, por realisht është shumë e turpshme dhe sekëlldisëse për të gjithë ne që të kemi një individ në zyrën e Presidentit të Republikës, që faktikisht ka dalë komplet nga të gjitha shinat e funksionit të tij dhe ka vendosur veten dhe institucionin në dispozicion të një force të degraduar siç është partia prej të cilës ai vjen dhe drejt së cilës ai shkon. Është vërtet për të ardhur keq”, tha Rama gjatë një prononcimi për mediet pas takimit me drejtuesit politikë të PS nga selia e partisë.

I pyetur nëse i ka përmbushur mazhoranca detyrimet lidhur me Gjykatën Kushtetuese si një nga kushtet për për çeljen e mbledhjes së parë ndërqeveritare, Kryeministri u shpreh se nu ka asnjë detyrë të drejtpërdrejtë qeveria në këtë drejtim, sepse sistemi është i pavarur prej nesh.

Por shtoi Rama, në dijeninë time janë të gjitha mundësitë që ne si parlament dhe vend ta çojmë përpara këtë proces dhe shpresojmë që procesi të vazhdojë normalisht dhe vendet të plotësohen sipas procedurave.

Rama u pyet nga gazetarët edhe lidhur me padinë e ngritur nga Partia Demokratike për inceneratorët.

“Është një periudhë kur simptomat e dëshpërimit, mungesës së vizionit, boshllëkut të programit, inekzistencës së lidershipit të opozitës, do të shkojnë duke u bërë më të dukshme, e të turpshme dhe fjalori shqip do të njohë një shpërdorim të madh, qoftë nga ana e partisë Demokratike, qoftë nga ana e partisë presidenciale dhe është fakt që përballë kësaj marrëzie dhe degradimi ne nuk mund të bëjmë asgjë veçse të vazhdojmë përpara punën tonë, përpjekjet tona në të dyja drejtimet. Qeverisjes, ku ne nuk jemi ndal asnjë ditë në drejtim të njerëzve, duke patur në fokus ata që presin të kthehen në shtëpi, por edhe gjithë të tjerët që natyrisht e duan e do ta kenë qeverinë në krah, qoftë edhe në drejtim të organizimit”, tha Kryeministri.

Lidhur me organizimin Rama bëri të ditur se në platformën e aplikimeve kanë paraqitur deri tani interes 50 persona.

“Më vjen shumë mirë t’ju them se në platformën e aplikimeve për njerëz që duam na bashkohen vajza e djem që nuk janë të rinj në moshë, por në ide e energji në skuadrën tonë të 2021-t. Në kaq pak ditë kemi më shumë se 50 shprehje interesi. Kam besim se numri do të rritet dhe ne do të bëjmë një proces shumë skrupuloz për të mundur të integrojmë ata që kanë një potencial, që të jenë pjesë e skuadrës”, u shpreh më tej Kryeministri. /a.gjonaj/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.