COVID-19/ Mjekja Shahini: Simptomat që nuk duhen neglizhuar te fëmijët

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Mjekja pediatre Valbona Shahini gjatë një lidhjeje direkte për një nga mediet e vendit tha se infektimet me COVID-19 kanë prekur edhe fëmijët në muajt e fundit.

Mjekja sqaroi se numri i fëmijëve të prekur nga virusi është shtuar ashtu siç ka ndodhur me gjithë popullatën në tërësi edhe pse tek fëmijët pasojat nuk kanë qenë aq të rënda.

“E vërteta është që ditët e fundit, sidomos muajt e fundit rastet me Covid-19 janë shtuar në masë edhe tek fëmijët, siç janë shtuar në të gjithë popullatën edhe fëmijët janë prekur, mbase jo aq rëndë pjesa më e madhe e tyre sa e gjithë popullata, personat më të rritur, por prapë janë prekur. Ne kemi pasur raste shumë më të shtuara se sa në periudhën e kaluar”, tha Shahini.

Sipas mjekes, është shumë e vështirë që të bëhet një dallim midis një viroze të thjeshtë dhe Covid-19 tek fëmijët.

“Nuk mund të bëhet një dallim midis një virozë të thjeshtë dhe Covid. Është shumë e vështirë. Shfaqjet janë totalisht të njëjta. Pra, mund të vijë me një rrufë, me një dhimbje fyti, me kollë, temperatura është përgjithësisht prezente në të gjitha rastet. Megjithatë, ka edhe raste që janë më të lehta dhe e kalojnë lehtësisht por nuk mund të bëhet një dallim specifik. I vetmi dallim që mund të bëhet vetëm nëpërmjet tamponit apo ekzaminimeve të tjera të gjakut që mund të shohim nëpërmjet analizave por dallim direkt gjatë një vizite është shumë e vështirë që të bëhet midis Covid-19 dhe viroze të thjeshtë”, u shpreh mjekja pediatre. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.