Ballina Flash

Riaplikimi për karta ID në çdo zyrë, pavarësisht vendbanimit/ Qytetarët të pajisen në kohë për të përfituar shërbimet online

TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Për shtetasit shqiptarë është lehtësuar së tepërmi procedura e pajisjes me kartë ID (letërnjoftim elektronik).

Qytetarët mund të riaplikojnë për kartën e identitetit në çdo zyrë aplikimi, pavarësisht vendbanimit. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloj një inspektim në zyrat e aplikimit në njësitë 8 & 9 në Tiranë, shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj.

Ministri theksoi nevojën për përshpejtimin e procesit të aplikimit, duke iu bërë thirrje qytetarëve të pajisen me kartë ID në kohë, për të përfituar shërbimet online.

“Te kjo zyrë aplikimi sot në Tiranë po shohim procesin e pajisjes së qytetarëve me karta ID. Është me shumë rëndësi të theksojmë nevojën që ka për përshpejtimin e procesit të aplikimeve. Dihet që për arsye të pandemisë afati i vlefshmërisë së kartave ID, që përfundonin në vitin 2019 u shty për arsye të pandemisë dhe kjo shtyrje nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Arsyeja e kësaj thirrjeje lidhet me nevojën që qytetarët duhet të aplikojnë sa më shpejt për të evituar grumbullimet dhe radhët e shtuara në fund të vitit”, tha Lleshaj.

“Shumë shërbime që tashmë kryhen online, janë të lidhura me vlefshmërinë e kartës ID. Dalja e kësaj karte jashtë afateve të vlefshmërisë bën që shumë shërbime të vështirësohen. Ndaj iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të përshpejtojnë për t’u afruar tek zyrat e aplikimit me qëllim që të pajisen me kartë në kohën e duhur dhe të evitojnë grumbullimet të cilat fatkeqësisht na ndodhin, sidomos në fund të vitit”, tha ai.

“Qytetarët në kuadër të lehtësimeve që janë bërë nga Ministria e Brendshme, mund të riaplikojnë për kartën e identitetit në çdo zyrë aplikimi në territorin e RSH. Ndryshe nga sa më parë ku riaplikimi lejohej vetëm në zyrën e aplikimit përkatëse. Kjo do të thotë që mundësitë për të riaplikuar janë të mëdha. Ndërkohë që investime të rëndësishme janë bërë në drejtim të pajisjes, përmirësimit të kushteve dhe krijimit të mundësive për aplikim në kushte optimale”, u shpreh Lleshaj.

“Ndaj, – shtoi ai, – edhe njëherë vlen thirrja që shfrytëzoni të gjitha zyrat e aplikimit në të gjithë vendin, të cilat janë të hapura për të lehtësuar sa më shumë procesin e aplikimit”. /r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRuçi pret Džaferović: Shqipëria mbështet integrimin euro-atlantik të Bosnjë-Hercegovinës
Artikulli tjetërVetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u dërgon kërkesën 2 të dënuarve në Fier