TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Shqipëria mbështet integrimin euro-atlantik të Bosnjë-Hercegovinës, si një pjesë e rëndësishme e mozaikut të arkitekturës së sigurisë në Ballkan e më gjerë.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti Kryesuesin e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Šefik Džaferović dhe delegacionin që e shoqëronte, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë. Në takim ndodhej edhe Ulsi Manja, kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë.
Kryetari i Kuvendit, Ruçi, vlerësoi marrëdhëniet e mira dhe miqësore mes vendeve tona dhe përshëndeti vendimin e fundit të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës për rihapjen e ambasadës me seli në Tiranë, si shprehje e interesit të zgjerimit të marrëdhënieve me vendin tonë.
“Dialogu politik, bazuar në frymën konstruktive dhe respektin e ndërsjellë, si dhe bashkëpunimi në rritje në një sërë fushash, përbëjnë premisën më të mirë për thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Bosnjë-Hercegovinën. Thithja e investimeve boshnjake dhe anasjelltas, shtimi i shkëmbimeve tregtare dhe eksplorimi i mundësive të bashkëpunimit në disa sektorë si energjia, infrastruktura, turizmi, bujqësia duhet të mbeten në fokus të vëmendjes së përbashkët të palëve. Shqipëria mbështet integrimin euro-atlantik të Bosnjë-Hercegovinës, si një pjesë e rëndësishme e mozaikut të arkitekturës së sigurisë në Ballkan e më gjerë dhe është e gatshme të ofrojë përvojën në këtë drejtim”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Bashkëpunimi parlamentar është një fushë e rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve, vuri në dukje gjithashtu Kryetari i Kuvendit, Ruçi.
Ruçi shprehu mirënjohjen për Presidentin Džaferović, i cili së bashku me anëtarin kroat Komšić, sollën dy javë më parë në tryezën e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, propozimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Pavarësisht mosmiratimit të tij, Shqipëria inkurajon vijimin e kësaj qasje.
“Para se të na duan e duam të tjerët, të duam më shumë njeri-tjetrin”, nënvizoi Ruçi.
Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Šefik Džaferović, falënderoi Kryetarin e Kuvendit për vullnetin për zgjrrimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve. “Bosnjë-Hercegovina ndjek me gëzim progresin e Shqipërisë dhe përshpejtimin e integrimit europian dhe dëshiron që negociatat e paranimit të hapen sa më shpejt. Njohja e Kosovës është në agjendën tonë dhe ne do të përpiqemi derisa të gjejmë konsensusin për këtë çështje”, nënvizoi Džaferović.
/gj.mima//j.p/r.e/























