https://www.facebook.com/AmbasadaGjermaneTirana/videos/2850487721904216
TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Edhe këtë vit në Shqipëri do të zhvillohen javët gjermano-shqiptare të kulturës në kuadër të Tetorit Gjerman 2020.
Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf u shpreh ky do të jetë edicioni i 14-të i kësaj serie aktivitetesh.
“Pandemia e Coronës ka sjellë ndryshime: do të ketë më shumë aktivitete virtuale, të zhvilluara online, debate dhe ekspozita. Por do të realizojmë edhe aktivitete me prani fizike, të gjitha jashtë, si për shembull në këtë kopsht, në ajër të pastër dhe me një koncept të qartë higjiene në mbrojtje të të ftuarve tanë”, tha ai.
“Motoja e këtij viti do të jetë “Perspektiva: Europa”. Nga perspektiva të ndryshme do të kemi mundësi të diskutojmë dhe reflektojmë mbi Europën: “Çfarë është Europa?”, “Kush është Europa?” dhe ndoshta “Ku është Europa?”. Arsye për këtë ka mjaft. Këtë vit u sinjalizua nisja e bisedimeve të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian; këtë vit patëm dhe kemi ende presidencën gjermane të Këshillit të BE-së; dhe po këtë vit, duke nisur nga nëntori, do të marrim edhe kryesimin e institucionit tjetër të madh e të rëndësishëm europian, atij të Këshillit të Europës, anëtari i të cilit Shqipëria është prej kohësh tanimë”, theksoi Zingraf.
“Pres me gëzim një Tetor Gjerman të mbushur me ngjarje dhe shumë takime me ju”, tha ai.
/gj.mima/j.p/r.e/






















