Ballina Flash

Ndahet nga jeta Sazan Velçani, Duka: Një nga gjyqtarët më të vlerësuar të futbollit shqiptar

TIRANË, 18 gusht /ATSH/ Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-gjyqtarit, Sazan Velçani, i cili vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.

Në mesazhin e tij të ngushëllimit, kreu i qeverisë së futbollit vlerëson kontributin e Velçanit për futbollin shqiptar dhe për komunitetin e gjyqtarëve.

“Ndihem i trishtuar për lajmin e ndarjes së parakohshme nga jeta të ish-gjyqtarit të FIFA-s, Sazan Velçani. Ai ka patur një karrierë të gjatë dhe ka qenë një nga gjyqtarët më të vlerësuar të futbollit shqiptar, duke dhënë kontributin e tij për shumë vite me radhë në fushën e lojës dhe për arbitrimin.

Velçani nuk ia doli dot të fitonte betejën e tij me sëmundjen e rëndë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në Itali, atje ku ndodhej i shtruar prej kohësh në spital. Dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, bashkëshortes dhe tre fëmijëve, miqve të tij, por edhe komunitetit të gjyqtarëve për këtë humbje të madhe. U prehtë në paqe!”, shprehet Duka në mesazhin e tij.

/gj.m//a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Jo më lagështi e mure të zbrazëta që burgosin imagjinatën e nxënësve”/ Rindërtohet shkolla 9-vjeçare “Fiqiri Kurti” në Kavajë
Artikulli tjetër“Talenti shqiptar”/ Sergio Kalaj, shtatlarti i mbrojtjes është gati për hapin e madh