TIRANË, 13 gusht /ATSH/ Një 29-vjeçar pacient me COVID-19 u vetëvra mëngjesin e sotëm në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” ka shprehur sot dhimbjen për humbjen e jetës së 29-vjeçarit me inicialet Xh. K. i cili i dha fund jetës mëngjesin e sotëm, dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij.
Në një njoftim për shtyp, Spitali “Shefqet Ndroqi” thekson se, “i riu i konfirmuar me COVID-19, po trajtohej prej 4 ditësh në spitalin “Shefqet Ndroqi”, me terapinë e plotë të mjekimit dhe gjendja e tij ishte e stabilizuar”.
“Lidhur me arsyet që e çuan të riun drejt këtij akti ekstrem është duke u kryer hetimi nga ana e organeve kompetente”, thuhet në njoftim.
Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” siguron qytetarët se do të vazhdojë të ofrojë me përkushtim dhe profesionalizëm, shërbim shëndetësor për pacientët që trajtohen në spitalin tonë.
/gj.mima/ /a.g//r.e/























