FOTO-VIDEO-Moti i keq përfshin vendin/ Reshjet e shiut boshatisin plazhet

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Që prej orëve të para të mëngjesit të ditës së mërkurë kanë nisur reshjet e shiut në vendit tonë, të cilat duket se kanë prishur edhe planet e pushuesve në bregdet.

Era e fortë dhe reshjet e shiut kanë përfshirë mëngjesin e sotëm pothuajse të gjitha qytetet në vend si dhe zonat bregdetare.

Pushuesit e shumtë kanë boshatisur plazhet për shkak të erës së fortë e shoqëruar me reshje shiu të dendura, veçanërisht në jug të vendit.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, reshjet e shiut kanë nisur nga pjesa veriperëndimore për t’u përhapur në të gjithë vendin. Gjatë ditës, raportohet nga Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, reshjet do të mbeten prezente të herë pas hershme me intensitet të ulët deri mesatar.

Shiu boshatis plazhin e Velipojës

Plazhi Velipojes
Plazhi i Velipojës

Edhe plazhi i Velipojës në veri të vendit, ku shumë shqiptarë edhe nga Kosova kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në këtë sezon të pazakontë për shkak të pandemisë, u përfshi nga reshje të dendura shiu dhe era e fortë,  por pushuesit nuk i kanë rezistuar tundimit për të shëtitur buzë tij.

Erë e fortë dhe reshje shiu në Vlorë e Sarandë

Siç shihet nga pamjet edhe jugu i vendit u përfshi nga reshjet e shiut dhe era e fortë dukë bërë që pushues të shumtë të boshatisin plazhet. Për shkak se deti është mjaft i dallgëzuar, Kapitaneria e Vlorës ka njoftuar bllokimin e daljes në det të mjeteve të vogla lundruese.

Ndërkaq edhe Saranda është zgjuar mëngjesin e sotëm nën pushtetin e shiut duke prishur planin e pushuesve, të cilët do të duhet të presin fundjavën për të vijuar për të shijuar plazhin.

Raportohet se reshjet që kanë prekur pjesën më të madhe të vendit ka ndihmuar në shuarjen e zjarreve, veçanërisht në zonat ku prej disa ditësh ishin aktive vatrat si në Seman.

Apeli i Policisë së Shtetit: Drejtuesit e mjeteve lundruese të mos dalin në det si pasojë e motit të keq

Policia e Shtetit u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve drejtuesve që të mos dalin në det si pasojë e motit të keq.

“Si pasojë e motit të keq dhe detit me dallgë, Policia e Shtetit  apelon për të gjithë drejtuesit e  mjeteve lundruese, (peshkarexha, motorë uji, e çdo mjet tjetër lundrues që përdoret me qëllim turizmi) të mos dalin në det deri në qetësimin e situatës”, njofton Policia.

Tirana sot

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.