Ballina Aktualitet

Ndarja nga jeta e Aneta Ramës/ Urdhri i Stomatologut: Humbëm një nga ikonat e themelimit të këtij shërbimi elitar

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Presidenti i Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë, Nikoll Deda i shprehu sot ngushëllimet familjes, miqve, kolegëve dhe Kryeministrit Edi Rama, për ndarjen nga jeta të Aneta Ramës, ndërsa theksoi se “sot stomatologjia shqiptare humbi një nga ikonat e para të themelimit të këtij shërbimi elitar në vendin tonë”.

“Sot u nda nga jeta mjekja stomatologe “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare” Dr.Aneta Rama. Dr.Aneta lindi në qytetin e Vlorës më 1 shtator 1939. Shkollën dhe arsimin e mesëm e mbaroi në qytetin e lindjes me rezultate ekselente.  Dr.Aneta ishte dhe një sportiste e talentuar në katër lloje sportesh. Në vitin 1955 filloi studimet në një nga Universitet më me emer të Polonisë dhe i mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1961. Pasi u diplomua si mjeke stomatologe filloi punë në poliklinikën e qytetit të Vlorës. Dr.Aneta më vonë ka punuar në kryeqytet duke drejtuar poliklinikën dentare, e Specializuar ne Radiologji e Fizioterapi Stomatologjike”, – thekson Deda.

Presidenti i Urdhrit të Stomatologut shprehet se “Dr.Aneta është dekoruar me çmime të ndryshme për punë shumë të mirë e rezultate shkencore në shërbimin ndaj qytetarit. Me rastin e 100 vjetorit të Stomatologjisë Vlonjate, Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë i akordoi titullin më të lartë: “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare“ në një atmosferë të jashtëzakonshme festive të mbarë dentistrisë”.

“Sot stomatologjia shqiptare humbi një nga ikonat e para të themelimit të këtij shërbimi elitar në vendin tonë. Familja humbi njeriun e saj të dashur: nënën, gjyshen e njeriun që do ta kujtojë tërë jetën. Në emër të Në emër të Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë i shpreh ngushëllime familjes, miqve, kolegëve dhe Kryeministrit tonë, Edi Rama. U prehsh në paqe Dr.Aneta”, – përfundon Deda./k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKryetari i OSBE-së, Rama: Të rigjallërojmë parimet e Aktit Final të Helsinkit në këto kohë të vështira
Artikulli tjetërModernizohen Emergjencat Civile/ Xhaçka: Një prej më të mirëpajisurave në Ballkanin Perëndimor