TIRANË, 1 korrik /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio.
“E falenderova për ndihmën e madhe që Italia i ka dhënë Shqipërisë dhe për zërin e fortë në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në BE. Ministrin Di Maio e njoha me përfundimin e kodifikimit të Reformës Zgjedhore, e cila është dhe një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Miratimi sa më parë i reformës do t’i hapë rrugë zbatimit të saj, duke shtuar garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha në lidhje me këtë bisedë.
Po ashtu, Basha u shpreh se e ka garantuar kryediplomatin italian se “PD do të bëjë gjithçka që i takon për të përshpejtuar procesin e integrimit”.
“Italia do të jetë një partner kyç i PD në qeverisjen e vendit, si në luftën kundër krimit dhe trafiqeve, ashtu edhe në zhvillimin ekonomik, ku padyshim investitorët italianë luajnë një rol të rëndësishëm”, u shpreh Basha. /j.p/r.e/























