Ballina Aktualitet

Basha nga Zall-Bastari: Do ulim çmimin e naftës për fermerët

TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka premtuar nga Zall-Bastari gjatë takimit me fermerët e zonës uljen e çmimit të naftës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte sot në Zall-Bastar, një zonë me rreth 5000 banorë ku pjesa më e madhe e tyre merren me bujqësi. Fermerët që kultivojnë një nga varietetet më të njohura të domates në këtë zonë thonë se problemi kryesor i tyre është kostoja që ka vajtja në treg. “Prodhimet i çojmë në fund të Tiranës dhe transporti në mungesë të rrugës ka kosto”, – tha një nga fermerët.

Ndërsa një tjetër banor që gjithashtu merrej me kultivimin e domates së njohur të Zall-Bastarit tha se kostoja e punimit të tokës është shumë e madhe.  “Plugimi është shumë i shtrenjtë. Naftë me akcizë zetoristi nuk i jep, helmet janë të pasigurta. Edhe fara nuk dihet si do të dali”, – tha ai, ndërsa tregoi se puna me tokën u shërben sa për të jetuar.

Basha u shpreh se, “qeverisja e PD do të fokusohet te fermerët dhe nevojat e tyre. Nën qeverisjen e Partisë Demokratike do të akordohen 50 milionë euro për ndërtimin apo rindërtimin e infrastrukturës rrugore. Partia Demokratike do të mundësojë 100 milionë euro subvencione në vit për fermerët shqiptarë, që prodhimi i tyre të rritet dhe fitimet të garantojnë mirëqenie dhe zhvillim. Taksa e naftës do të ulet dhe kjo do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në çmimin e naftës, duke e ulur atë dhe duke i bërë më të përballueshme kostot e prodhimit”. /a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEksportet e peshkut arritën në 1200 tonë në 5-mujorin e parë të vitit
Artikulli tjetër“Garancia Sovrane 1”, deri tani janë aprovuar 521 biznese