“Garancia Sovrane 1”, deri tani janë aprovuar 521 biznese

TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj,në kuadër të turit të komunikimeve të drejtpërdrejta me biznesin ndodhej sot në Elbasan, në kompaninë “Doan sh.p.k” me aktivitet tregtimin me shumicë të xhamave me shtrirje në Shqipëri dhe në vendet e rajonit.

I goditur jo vetëm nga pasojat e rënda të tërmetit të një viti me parë, por dhe nga pandemia COVID-19, kjo kompani po gjen forca për t’u rimëkëmbur edhe falë mbështetjes me “Garancinë Sovrane 1” për 66 punonjës.

“Deri tani nga “Garancinë Sovrane 1″ janë aprovuar 521 biznese”, tha Denaj.

“Ju jeni goditur dy herë në gjashtë muaj si biznes, një herë nga tërmeti dhe më pas nga COVID-19”, – tha Denaj.

Ndërsa pronari i kompanisë u shpreh se “malli që kisha në magazinën në Durrës, produkt xhami, u thye. Ndërsa gjatë pandemisë 20 ditë ishim mbyllur fare, pastaj filluam avash-avash nuk kemi arritur në kapacitetin tonë, tek 80% jemi”.

Më tej ministrja Denaj u shpreh se “me garancinë e parë sovrane, keni marrë një produkt që ju ndihmon dhe është me kosto zero, kështu që kjo mund t’iu ndihmojë pak në likuiditet. Me produktin e dytë të kredisë ne mbështesin 60% të kolateralit”, – theksoi Denaj.

Ministrja Denaj u shpreh se “ka një perceptim të gabuar në fakt, edhe në takime të ndryshme që bëjmë me bizneset, ky produkt i kredisë me garancinë shtet 60% është më i shtrenjtë se ai i mëparshmi që ju e kishit me garanci zero nga shteti. Ju merrni sot një kredi me 3 kur e gjithë garancia është e juaja, apo risku është 100% i bankës, kur 60% është e jona sigurisht norma e interesit të bankës duhet të shikohet që të jetë më e ulët sesa kredia standarde”.

Unë do të kërkoja, tha Denaj, që ju në marrëdhënie me bankën të vini këtë logjikë, përse ma jep më të shtrenjtë kur 60% ta ka garantuar shteti.

Pronari i kompanisë tha se “do ta kërkojmë dhe shpresojmë ta marrim”.

Kryetari bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja theksoi se “bashkia e Elbasanit jo më larg së këtë javë përgjysmoi taksat e pushtetit vendor, tarifën e sipërfaqeve publike, pikërisht sepse kemi qenë gjithë kohën në kontakt me biznesin edhe gjatë pandemisë, edhe pas pandemisë”.

“Bizneset që i kemi sot të konsoliduara sidomos në zonën e Elbasanit, duhen mbështetur edhe me pjesën e zgjerimit të tyre”, – tha Llatja./k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.