“Financim i qendrës multidimensionale në Bujanoc”/ Cakaj: I rëndësishëm bashkimi për herë të parë në një listë i partive shqiptare në Luginën e Preshevës

TIRANË, 22 qershor/ATSH/ Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, theksoi sot se “vlera themelore e listës së përbashkët të partive shqiptare në Luginën e Preshevës për zgjedhjet në Serbi është bashkimi për herë të parë i tyre në një listë të vetme, që nënkupton se pavarësisht dallimeve të tyre politike, ata gjetën gjuhën e përbashkët me ndërmjetësimin e Shqipërisë për t’u sjellë si një faktor i vetëm politik”.

Në një intervistë televizive Cakaj tha se “kjo është vlera themelore e kësaj liste, sepse është e vërtetë që shqiptarët në Luginën e Preshevës, i kanë punët keq se janë të ndarë, por nuk mund ta përmirësojnë situatën e tyre pa qenë të bashkuar. Vlera themelore e kësaj liste nuk është thjesht tek numri i vendeve që do të marrin në Kuvend, por tek fakti që ata shtojnë një përpjekje të përbashkët në funksion të mbrojtjes e të lartësimit të të drejtave të tyre”.

Lidhur me numrin e vendeve në Kuvendin e Serbisë të deputetëve shqiptarë, ministri Cakaj u shpreh se “kam informacion të prapaskenave të ndryshme, që ndodhin atje vazhdimisht, por mua nuk më takon të flas, as të komentoj numrin e vendeve të mundshme në parlament, derisa nuk kemi një certifikim zyrtar të zgjedhjeve. Ajo që dua të them është se pavarësisht numrit që do të marrin shqiptarët në parlamentin e Serbisë është e rëndësishme që kësaj radhe ata janë sjellë si një trup i vetëm politik, me një platformë të unifikuar politike karshi Serbisë, që tregon se pavarësisht çështjeve që ata nuk pajtohen në mënyrën si menaxhohet pushteti lokal, për shembull në Preshevë, apo Bujanoc, ata kanë arritur të përpilojnë një program të përbashkët politik që realisht shteron edhe nevojat e tyre si shqiptarë para së gjithash”.

Ministri Cakaj tha se “kësaj radhe është dëshmuar një angazhim i madh politik, shqiptarët kanë folur në një zë dalja në zgjedhje ka qenë masive, që tregon mbështetje të paekuivoke të platformës shqiptare në Luginën e Preshevës. Nuk po e minimizoj rëndësinë e numrave, por përtej numrave theksoj se momenti politik është shumë i rëndësishëm. Dua të theksoj po ashtu të gjithë punën që kemi bërë në Preshevë, që nuk ka qenë thjesht punë për të bërë këtë koalicion, por për të krijuar një moment të ri politik, dhe kjo nënkupton që ne duhet të angazhohemi vazhdimisht në funksion të përmirësimit të pozicionit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

Sipas tij, numri i deputetëve është një instrument shtesë në angazhimin tonë të përbashkët, por kurrsesi instrumenti ynë i vetëm.

I pyetur se ky grupim në një listë është një lëvizje taktike elektorale, Cakaj u shpreh se “nuk është lëvizje taktike elektorale, është përpjekje për të unifikuar spektrin politik në Luginën e Preshevës, sepse ka një disproporcion me numrit të popullsisë dhe  numrit të partive politike nga njëra anë dhe nga ana tjetër numri i çështjeve me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Luginën e Preshevës është shumë i madh për të pasur ndasi të brendshme”.

“Koalicioni nuk u arrit rastësisht as në momentin e fundit, realisht kemi më shumë se një vit që jemi angazhuar në forcimin e marrëdhënieve me shqiptarët e Luginës dhe kemi marrë përgjegjësinë për të financuar Këshillin Kombëtar shqiptar, kemi mbështetur disa projekte të vogla, por me rëndësi të madhe kulturore, siç është financimi i qendrës multidimensionale në Bujanoc etj, kemi bërë kërkesën për çeljen e konsullatës së përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Luginën e Preshevës, gjë që do të forcojë edhe më tej ndërlidhjen mes shqiptarëve atje dhe shtetit shqiptar në përgjithësi”, – nënvizoi Cakaj.

Ministri Cakaj tha se “kemi bërë dhe marrëveshje për 25 tituj të rinj shkollorë, që është shumë e rëndësishme për cilësinë e edukimit në gjuhën shqipe, të shqiptarëve që jetojnë atje dhe kemi arritur edhe koalicionin që realisht është pika kulmore politike e punës sistematike që kemi filluar shumë më herët”.

/k.s/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.