TIRANË, 29 maj /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli nënshkroi Kartën Europiane për Barazinë mes grave dhe burrave në jetën vendore, duke ndërmarrë kështu një angazhim zyrtar ndaj parimit të barazisë, me qëllim adresimin sa më të mirë të nevojave për gratë, burrat, vajzat dhe djemtë e Pogradecit.
Me nënshkrimin e kësaj Karte për Barazi, bashkia Pogradec u bashkohet 1796 bashkive të Europës (10 prej të cilave në Shqipëri) të cilat ndërmarrin përgjegjësi e veprime në fushën e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave, në përpjekje për të adresuar sfidat e shumta që nuk lejojnë grate dhe burrat të gëzojnë të drejta të barabarta në jetën shoqërore, politike apo ekonomike.
Gjithashtu bashkia Pogradec tashmë mund të përfitojë nga praktikat më të mira europiane duke rritur njëkohësisht prezencën e saj në nivel evropian, si dhe bashkëpunimin në fushën e barazisë gjinore.
Si një reagim i menjëhershëm i adresimit me prioritet të nëvojave të të gjitha grupeve në shoqëri, po sot, pas nënshkrimit të Kartës Europiane për Barazi, kryetari i bashkisë nënshkroi gjithashtu dhe Marrëveshjen e Bashkëpunimit për Këshillin Rinor, në prani edhe të një përfaqësie nga ky Këshill.
Edhe kjo marrëveshje vjen si rrjedhojë e një sërë hapash të ndërmarrë prej kohësh dhe të një pune të jashtëzakonshme të kryer me të rejat dhe të rinjtë e Pogradecit, me qëllim fuqizimin e tyre dhe përfshirjen në çështje të lidhura me vendimmarjen në nivelin vendor.
Xhakolli u shpreh se falenderim i veçantë shkon për projektin e USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore (PLGP), për mbështetjen e vazhdueshme të dhënë ndër vite në disa drejtime, që siç tha ai, “pa padyshim edhe për njohjen dhe planifikimin në mënyrën e duhur të hapave që duam të hedhim në drejtim të fuqizimit të të rejave dhe të rinjve dhe arritjen e barazisë gjinore”. /j.p/r.e/
e.xh/























