Mbrojtje e vendeve të punës/ OKB program socio-ekonomik në Shqipëri

TIRANË, 25 maj /ATSH/ Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) do të ndërmarrë një program të reagimit socio-ekonomik ndaj COVID-19, përgjatë 12-18 muajve të ardhshëm në vendin tonë.

Pas prezantimit të Kuadrit global të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për reagim të menjëhershëm socio-ekonomik ndaj COVID-19-ës nga Sekretari i Përgjithshëm më 4 maj, Zyra e OKB-së në Shqipëri krijoi një taskforcë për zhvillimin e programit të reagimit socio-ekonomik përgjatë 12-18 muajve të ardhshëm.

Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar PNUD, bën të ditur se, do të drejtojë taskforcën e përgjithshme, duke siguruar përfshirjen e të gjitha strukturave të familjes së OKB-së për zbatimin e pesë shtyllave të programit të cilat konsistojnë në mbrojtjen e shërbimeve dhe sistemeve shëndetësore –drejtuar nga OBSH; mbrojtjen sociale dhe shërbimet bazë drejtuar nga UNICEF-i; mbrojtjen e vendeve të punës dhe e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si dhe e aktorëve prodhues më të cenueshëm drejtuar nga PNUD-i.

Gjithashtu synohet reagimi makroekonomik dhe bashkëpunimi i shumanshëm – drejtuar nga Zyra e Koordinatorit të Përhershëm (UNRCO) dhe Kohezioni social dhe qëndrestaria e komunitetit – drejtuar nga PNUD-i e.xh/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.