VIDEO/ IPARD, mbështet fermerët me grante për mekanizimin në bujqësi

TIRANË, 25 maj /ATSH/ Para tre vitesh ai punonte tokën e tij me parmendë e qe. Sot Tefik Zdrava, ka dyfishuar prodhimtarinë dhe sipërfaqen e kultivuar të tokës pasi ka investuar grantin programit IPARD Like, në një traktor dhe pajisje të tjera mekanike.

Zdrava tregon se, biznesin si agromekanizator e nisi që kur ndryshoi sistemi, para 30 vitesh.

“Gjatë kësaj periudhe kërkova të angazhohesha për mjete bujqësore. Sfida kryesore ishte mjeti që nuk kishim. Punohej kryesisht me mjete primitive, me qe me parmendë Ka qenë e pamundur të punohej dhe lërohej toka që të merrje prodhimin e dëshiruar”, shprehet Tefik Zdrava i cili ka 0,7 hektarë tokë në pronësi dhe 0,7 hektarë të tokës i ka marrë me qira.

Nga asistenca e Bashkimit Europian ai ka përfituar një zetor dhe një presë.

“Me ardhjen e këtyre mjeteve përfitimi im ka qenë i dukshëm”, shprehet ai.

Ai tregon se, mbështetja e programit IPARD Like, i dha mundësinë të marrë mjete të mekanizuara, që po ndihmojnë atë të rrisë sipërfaqet e mbjella, rendimentin e prodhimit dhe të marrë produkte më cilësore.

“Unë kërkova të angazhohesha për t’u marrë me mjetet bujqësore dhe nga asistenca e Bashkimit Europian kam përfituar një zetor dhe një presë. Prodhimi që marr është më i mirë, më i lartë dhe po rritet nga viti në vit. Sot prodhoj deri në 100 kv grurë nga 30 kv që siguroja përpara përdorimit të mekanikës bujqësore”, – thotë fermeri Zdrava.

Në vitin 2017 fermeri prodhoi rreth 8 tonë misër dhe 7 tonë foragjere. Sot prodhimet janë më të larta, se mundësia është më e mirë falë asistencës së BE-së për mekanikë të përparuar. e.xh/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.