Ballina Flash

COVID-19/ Kryeinfermieri Isufi rrëfen për ATSH-në betejën me pacientët e intubuar në Infektiv

TIRANË, 7 maj/ATSH-Z.Tosku/ Elton Isufi është kryeinfermier në një nga pavijonet e infektivit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe prej 13 vitesh u shërben pacientëve, ndërsa prej gati 3 muajsh po qëndron në vijën e parë me luftën e egër ndaj armikut të padukshëm COVID-19.

Ditët e para ishin shumë të vështira tregon ai për Agjencinë Telegrafike Shqiptare pasi sëmundja ishte ende e panjohur. Rreziku i marrjes së infeksionit për familjen, ishte një tjetër shqetësim i ditëve të para veçanërisht.

“Si kryeinfermier në një nga pavijonet në Infektiv së bashku me personelin mjekësor, jemi në gatishmëri totale për pacientët. Ditët e para ishin pak të vështira duke qenë se ishte një sëmundje e panjohur, virus i ri që po qarkullonte, normal që frika tek ne ishte akoma më shumë sepse ishim në kontakt të parë me pacientët. Kishim frikën e familjes nga rreziku i marrjes së infeksionit. Kishim pacientë në gjendje të rëndë ndërsa gradualisht ra numri dhe situata u normalizua. Javët e fundit kanë qenë më të qeta, por rastet vazhdojnë të jenë prezente. Nuk ka pasur shumë shtrime kohët e fundit”.

Kryeinfermieri Isufi është baba i dy fëmijëve dhe për të mos i rrezikuar në asnjë moment ata, ka marrë me qira një ambient në të cilin shkon direkt pas përfundimit të punës për të mos patur kontakt të drejtpërdrejtë me ta.

“Unë kam dy fëmijë, një vajzë 8 vjeçe dhe një djalë 4 vjeç. Fëmijët i kam në shtëpi, por gjatë kësaj kohe kam marrë një ambient me qira, ku direkt pas pune shkoj fus rrobat në lavatriçe, bëj dush dhe kur shkoj në shtëpi jam gjysmë i sterilizuar. Gjatë kësaj kohë përveç dezinfektantëve tërë kohën në shtëpi, përdor maska dhe jam munduar të mos i afroj fëmijët. Situata me ta është pak e vështirë sepse nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë kjo epidemi”.

Isufi tregon për ATSH se ka qenë prezent në shumë raste kur pacientët janë intubuar. “Kam qenë prezent në shumë raste kur pacientët janë intubuar duke vënë aparatin që është për mbajtjen në jetë të tyre, pra aparatit që u jep frymëmarrje artificiale. Ndjesia më e vështirë ishte frika nëse këta pacientë do të mund ta fitonin betejën me këtë sëmundje, pavarësisht punës së pandalshme dhe përpjekjeve të stafit mjekësor”.

Krahas familjes, ai tregon se shoqëria është ajo që e ka mbështetur në këtë betejë, duke e inkurajuar se çdo gjë do të shkojë mirë e me sukses.

“Normal që kam pasur mbështetjen jo vetëm të familjes, por edhe të shoqërisë që na ka inkurajuar dhe uruar të dalim me sukses nga kjo betejë. Personeli infermier ka qenë në gatishmëri të plotë që nga dita e parë, ku pavijoni i Infektivit u kthye në karantinë për COVID. Personeli ka qenë 100% i kualifikuar në punën që kanë bërë. Ne na janë atashuar edhe personel i kualifikuar nga pavijone të tjera, nga reaminacione të tjera të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” që na ka dhënë mbështetje të madhe për pacientët”, tregon Isufi.

Të gjithë kemi qenë duke asistuar dhe ndihmuar pacientët për çdo nevojë, vijon ai më tej duke theksuar se “mungesa e familjarëve për t’i qëndruar pranë pacientëve në ditët e tyre më të vështira, i ka bërë mjekët dhe infermierët që krahas ndihmës mjekësore t’i asistojmë edhe duke bërë psikologun”.

Isufi rrëfen ndër të tjera se çdo mëngjes, pasdite apo natën kur merrnin turnin veçanërisht, mundoheshim t’i inkurajonim se çdo gjë do të shkonte mirë dhe familjarët do t”i shihnin sërish.

“Ka pasur shumë raste ku krahas ndihmës mjekësore dhe kujdesin e vazhdueshëm për ta, kemi bërë edhe psikologun. Kemi dhënë mbështetjen psikologjike tek këta pacientë duke i inkurajuar që jo vetëm të jenë bashkëpunues me personelin mjekësor, por edhe duke u shpjeguar që do të bëhen mire nga ana shëndetësore. Ka pasur pacientë që neglizhonin pjesën e ndihmës, por personeli infermieror ka qenë i përpiktë”, shprehet ai për ATSH.

Isufi tregon se “mungesën e familjarëve e kanë ndjerë shumë ndaj i kemi mbështetur vazhdimisht. Pacientët kishin frikë sepse kishin dëgjuar më parë edhe nga mediat informacione rreth koronavirusit dhe kjo i shtonte më shumë shqetësimin e tyre. Por, duke i mbështetur dhe duke i dhënë suport, dita-ditës e kalonin frikën. Pacientët që shtroheshin ditët e para nuk ishin në gjendje shumë të mirë, por pas disa ditësh kur merrnin veten na bënin pyetje: si do jem me shëndet, a do të përsëritet prapë kjo sëmundje, po në shtëpi me familjen si do jem”.

I gjithë personeli mjekësor në të dy spitalet COVID, po qëndrojnë në gatishmëri duke u kujdesuar për pacientët e prekur nga infeksioni me përkushtim dhe profesionalizëm.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak20 mijë tonë mallra po përpunohen në portin e Durrësit
Artikulli tjetërFico: 85% e rasteve të shëruar nga COVID-19