Ballina Bota

GJERMANI – Për herë të parë në botë, dy kriminelë të dyshuar sirianë lufte para gjykatës

KOBLENZ, 23 prill /ATSH-DPA/ – Dy anëtarë të dyshuar të regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Asad, dolën sot përpara një gjykate gjermane, që përbën rastin e parë në botë të gjykimit të këtij regjimi.

Një prej të pandehurve mendohet se është një ish-zyrtar i shërbimit sekret, i cili akuzohet për organizimin e keqtrajtimit brutal të mijëra njerëzve në një burg në Damask.

Tjetri dyshohet për dërgimin e dhjetëra protestues në këtë burg.

Prokurori i Përgjithshëm gjerman tha se gjykimi, që po zhvillohet në qytetin Koblenz, ishte “gjyqi i parë penal në të gjithë botën i anëtarëve të regjimit të Asadit për krime kundër njerëzimit”.

Sipas Shoqatës Gjermane të Gjykatësve, Prokurori i Përgjithshëm aktualisht po heton 100 krime të dyshuara kundër njerëzimit duke përfshirë Sirinë, Irakun, Libinë, Afganistanin, Malin, Nigerinë,  Gambian, Bregun e Fildishtë dhe Kongon.

“Kriminelët e luftës nuk gjejnë strehë në Gjermani”, deklaroi kreu i shoqatës Sven Rebehn.

Patrick Kroker, avokati që përfaqëson disa viktima të dyshuara të torturave tha se “disa prej tyre kanë edhe sot në trupin e tyre shenjat e torturave”.

Klientët e tij pritet të japin dëshmi të hollësishme për trajtimin e tyre.

”Gjykimi u jep atyre mundësinë të zbulojnë të vërtetën në lidhje me torturat në Siri dhe ta bëjnë atë publike”, tha ai./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Zero tendera sekret” – Xhaçka: Deri më sot, pako ushqimore për 322 225 familje në nevojë
Artikulli tjetërKarantinimi në hotele i të riatdhesuarve/ Balluku: Mënyra më e mirë në respekt të sakrificës së shqiptarëve këto 7 javë