Karantinimi në hotele i të riatdhesuarve/ Balluku: Mënyra më e mirë në respekt të sakrificës së shqiptarëve këto 7 javë

TIRANË, 23 prill/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha sot se “karantinimi në hotele i emigrantëve është e mënyra më e mirë e karantinimit që ne sot mund të ofrojmë pikërisht në respekt të të gjithë sakrificës që ka bërë ky popull për 7 javë të tëra”.

Në fjalën e saj në Kuvend, duke iu përgjigjur deputetes Rudina Hajdari, ministrja Balluku tha se “askush nuk mund të shkojë në shtëpi, sepse shtëpitë nuk mund t’i kontrollojmë të gjitha, edhe ata që deklarojnë se jetojnë vetëm imagjinoni të gjitha forcat e policisë që duhet të shkojnë. Nëse ne do të shkonim shtëpi më shtëpi të verifikonim nëse ata vërtetë jetojnë vetëm apo këto shtëpi janë të pafrekuentuara nga njerëz të tjerë duket e pamundur, sepse ky do të ishte një shërbim i kostumizuar”.

Sipas saj, në momentet që ndodhemi asnjë nga ne nuk ka mundësi që t’i përshtatet çdo lloj rasti, hotelet nuk janë më hotele kanë qenë të tilla deri para ca kohësh.

“Ministri Klosi bëri një marrëveshje me ta për t’i kthyer në struktura karantinuese. Janë struktura karantinuese. 132 persona zbresin nga autobusi shoqërohen nga Policia e Shtetit nga Rinasi deri në derën e hotelit dhe aty është ushtria që merr përsipër ruajtjen e hoteleve”, – sqaroi Balluku.

Ministrja Balluku siguroi se të gjitha kamerat e hoteleve kontrollohen nga Policia e Shtetit dhe të gjithë të karantinuarit brenda në dhoma nuk dalin jashtë për 14 ditë.

“Në këto ditë qëndrojnë të mbyllur në dhomë, jashtë çdo dhome ndodhen komodina ku vendosen çarçafët e pastër, mjetet e tjera të pastrimit të dhomës që bëhen nga vetë të karantinuarit dhe ushqimi sipas vakteve. Kur kanë kërkesa lajmërojnë në recepsion dhe ne i plotësojmë ato për çdo nevojë personale që kanë”, – u shpreh Balluku.

Ministrja Balluku tha se “kjo është e mënyra më e mirë e karantinimit që ne sot mund të ofrojmë”. /k.s/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.