KOBLENZ, 23 prill /ATSH-DPA/ – Dy anëtarë të dyshuar të regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Asad, dolën sot përpara një gjykate gjermane, që përbën rastin e parë në botë të gjykimit të këtij regjimi.
Një prej të pandehurve mendohet se është një ish-zyrtar i shërbimit sekret, i cili akuzohet për organizimin e keqtrajtimit brutal të mijëra njerëzve në një burg në Damask.
Tjetri dyshohet për dërgimin e dhjetëra protestues në këtë burg.
Prokurori i Përgjithshëm gjerman tha se gjykimi, që po zhvillohet në qytetin Koblenz, ishte “gjyqi i parë penal në të gjithë botën i anëtarëve të regjimit të Asadit për krime kundër njerëzimit”.
Sipas Shoqatës Gjermane të Gjykatësve, Prokurori i Përgjithshëm aktualisht po heton 100 krime të dyshuara kundër njerëzimit duke përfshirë Sirinë, Irakun, Libinë, Afganistanin, Malin, Nigerinë, Gambian, Bregun e Fildishtë dhe Kongon.
“Kriminelët e luftës nuk gjejnë strehë në Gjermani”, deklaroi kreu i shoqatës Sven Rebehn.
Patrick Kroker, avokati që përfaqëson disa viktima të dyshuara të torturave tha se “disa prej tyre kanë edhe sot në trupin e tyre shenjat e torturave”.
Klientët e tij pritet të japin dëshmi të hollësishme për trajtimin e tyre.
”Gjykimi u jep atyre mundësinë të zbulojnë të vërtetën në lidhje me torturat në Siri dhe ta bëjnë atë publike”, tha ai./ a.jor.
