Ballina Flash

SOFT NEWS – Princeshë Sofia e Suedisë ndërron kurorën mbretërore me… bluzën e mjekut

STOKHOLM, 17 prill /ATSH-AFP/- Pas një trajnimi të shpejtë prej tri ditësh, princeshë Sofia e Suedisë iu bashkua radhëve të ekipeve mjekësore suedeze, në krizë të plotë shëndetësore në lidhje me koronavirusin e ri, njoftoi sot Oborri Mbretëror.

Prej ditës së enjte, princesha 35-vjeçare është asistente vullnetare e personelit shëndetësor në Spitalin “Sophiahemmet” në Stokholm.

“Si presidente nderi e “Sophiahemmet”-it, ajo dëshiron të ndihmojë në këtë krizë në Suedi”, tha Margareta Thorgren, zëdhënëse e Oborrit Mbretëror.

Princeshë Sofia i është bashkuar familjes mbretërore pasi u martua me Princin Carl Philip, në vitin 2015.

Suedia ka zgjedhur një qasje origjinale ndaj COVID-19 duke mos e kufizuar popullsinë e saj.

Autoritetet shëndetësore kanë bërë thirrje për përgjegjësi qytetare, distancim shoqëror, zbatim të rreptë të rregullave të higjenës, izolim në rast simptomash.

Ndër masat më të rrepta të marra deri tani janë ndalimi i tubimeve të më shumë se 50 personave dhe ai i vizitave në azilet e pleqve.

Sot, mbretëria skandinave regjistroi 13 226 raste të konfirmuara me COVID-19, përfshirë 1 400 vdekje./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDenaj, në takimet e BB dhe FMN-në: Të angazhuar për mbrojtjen e qytetarëve dhe ekonomisë në procesin e rimëkëmbjes nga pasojat e COVID-19
Artikulli tjetërProfesor Dhimitër Kraja rikthehet në frontin e luftës kundër COVID-19/ Balla: Shembull i shkëlqyer