Denaj, në takimet e BB dhe FMN-në: Të angazhuar për mbrojtjen e qytetarëve dhe ekonomisë në procesin e rimëkëmbjes nga pasojat e COVID-19

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj mori pjesë në takimet Virtuale të Pranverës të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që u  fokusua në qasjet kombëtare dhe ndërkombëtare të ekonomive ndaj pandemisë COVID-19.

Denaj tha se, “sot, zhvilluam Komitetin e Zhvillimit, me vendet anëtare të Bankës Botërore dhe FMN-së, ku u fokusuam në ndihmën e drejtpërdrejtë për qytetarët, e instrumentet financiarë në ndihmë të likuiditetit afatshkurtër”.

Gjithashtu thekson Denaj, u diskutua për mbështetjen shtesë nga vendet e mëdha për vendet në zhvillim dhe modalitetet për efektivitetin maksimal të masave të ndërmarra nga qeveritë.

Ministrja Denaj shprehu dakordësinë e saj me Presidenten e FMN-së, Kristalina Georgieva, e cila në hapje të takimit tha se, “ky nuk është një sprint, por një maratonë”.

“Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e vazhduar, për partneritetin dhe ndihmën në kohë reale. Së bashku me vendet e tjera anëtare, mbetemi të angazhuar për mbrojtjen e qytetarëve dhe ekonomisë dhe në procesin e rimëkëmbjes nga pasojat e COVID-19. Në kohë të vështira, bashkëpunimi është forca jonë më e madhe”, shprehet Denaj. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.