TIRANË, 15 prill /ATSH – I. Vata/ Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi sot projektligjin “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”
Nën drejtimin e kryetares, Ermonela Felaj, Komisioni për Sigurinë Kombëtare në mbledhjen e sotme zhvilluar online, nëpërmjet sistemit CISCO WEBEX, mori në shqyrtim projektligjin “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”.
Të ftuar për të bërë një përmbledhje shpjeguese të përmbajtjes së këtij projekti, ishin Reida Kashta Drejtore e Agjencisë së Prokurimeve Publike, Rovena Voda zëvendësministre në Ministrinë e Brendshme dhe Petro Koçi zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes.
Kashta, në një prezantim hyrës të projektit, sqaroi se kërkesa për të hartuar një legjislacion të tillë ka ardhur në mënyrë të vazhdueshme nga Komisioni Europian. Kjo pasi, sipas zonjës Kashta, është cilësuar si ”mungesë” në legjislacionin shqiptar një ligj i posaçëm dhe një ligji që reflekton një direktivë të posaçme të BE.
“Agjencia e Prokurimit Publik ka kërkuar ngritjen e një grupi ndërinstitucional pune ku rolin kyç e ka Ministria e Mbrojtjes, por ka pasur përfaqësues dhe kontribut shumë të rëndësishëm nga institucione të tjera si Ministria e Brendshme, SHISH dhe DSIK, për të kombinuar aspektin teknik dhe nevojën për informacionin teknik për sa i përket nivelit të transparencës që do kemi në këtë drejtim dhe shfaqjes së informacionit duke qenë se jemi në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë dhe kombinimit me rregullat proceduriale për aq sa është e lejuar në këtë fushë dhe për të bërë diferencën në fushën klasike”, vijoi Kashta.
Më tej, Petro Koçi në prezantimin e përmbajtjes së projektit theksoi se një nga synimet e hartimit të këtij projekti për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë ishte që të rregullohej ky proces me një ligj të dedikuar si dhe procesi i përafrimit të Legjislacionit tonë me atë të BE.
Relatorja e projektligjit Antoneta Dhima e vuri theksin te rëndësia dhe qëllimi i hartimit te projektligjit.
Sipas Dhimës, “qëllimi i këtij projektligji është përcaktimi i rregullave për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë së institucioneve shtetërore dhe të mbrojtjes e sigurisë në Republikën e Shqipërisë”.
Pas pyetjeve propozimeve dhe diskutimeve nga anëtarët, projektligji në fjalë u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi. /j.p//r.e/























