Ballina Aktualitet

“Shifra e vdekshmërisë nga COVID-19 në Shqipëri më e ulëta në rajon/ Spiropali: Ndryshimet në Kodin Penal jo për burgosjen por mbrojtjen e qytetarëve

TIRANË, 13 prill/ATSH/ – Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se, shifra e vdekshmërisë nga COVID-19 në Shqipëri është më e ulëta në rajon.

Në një intervistë televizive Spiropali tha se, “u fol se nuk po bëhen testime, ka më shumë të vdekur sesa janë shifrat. Kjo është një akuzë qesharake, është një akuzë e rëndë.  E para se qeveria nuk i fsheh dot të vdekurit edhe nëse do të kishte një qeveri në botë që është kaq mizore. Shifra e vdekshmërisë nga COVID-19 në Shqipëri është më e ulëta në rajon. Konkretisht 8 qytetarë për 1 milionë banorë. Sllovenia përshembull e ka 19. Maqedonia e Veriut 12, Rumania 11, Bosnja 10 e kështu me radhë. Pra shifra e vdekshmërisë është e ulët”, tha Spiropali.

Po ashtu, theksoi ministrja Spiropali, “raporti i të infektuarve me ata që testohen, është po ashtu në rënie të vazhdueshme nga 40% në 7%. Kjo dhe të tjerë tregues tregojnë që menaxhimi i situatës ka qenë i jashtëzakonshëm dhe jo më kot kemi këto rezultate, të cilat nuk i pohojmë ne, por të gjithë ekspertët që merren me këto çështje, përveç kundërshtarëve politikë që kërkojnë të përfitojnë nga situata, por nuk munden’, theksoi Spiropali.

“Shqipëria ka qenë ndër të parat në Europë që ka mbyllur shkollat dhe ka filluar karantinimin. Tani po rezulton se të gjitha vendet që kanë marrë këto masa kanë patur një kurbë gjithmonë e në rënie. Nuk kanë mbërritur kurrë një kulm katastrofik, ku spitalet mund të mbylleshin, apo të vdekurit të numëroheshin në rrugë, ashtu siç fatkeqësisht ndodh edhe në vende me shumë më shumë burime dhe resurse se Shqipëria”, tha Spiropali.

“Kemi një situatë jo vetëm nën kontroll, por absolutisht në përmirësim të vazhdueshëm dhe kjo pikërisht prej këtyre masave që u morën shpejt. Dhe është patjetër meritë e Kryeministrit dhe qeverisë, por mbi të gjitha e atyre ekspertëve, të cilët kanë punuar ditë e natë, në Komitetin Teknik dhe Ekspertëve për të parashtruar masat”, tha Spiropali.

“Është qeveria ajo që duke dëgjuar ekspertët zgjedh dhe rrugët përkatëse të trajtimit dhe parandalimit të përhapjes të sëmundjes. Kanë qenë këto masa të forta që janë marrë, për të cilat sigurisht ne jemi të qartë përsa i përket lirive individuale të daljes, apo lirive të tjera ekonomike, apo situatës së vështirë ekonomike ku shumë familje shqiptare gjenden. Sigurisht që jemi të qartë. Ama ka pasur prioritet absolute mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe shmangia e një katastrofe shëndetësore”, theksoi Spiropali.

Duke u ndalur tek ndryshimet në Kodin Penal, Spiropali tha se, ajo është një referencë e ligjeve të vendeve europiane, që ka si qëllim, jo burgosjen e qytetarëve, por mbrojtjen e tyre.

“Është e habitshme pse nuk janë bërë parashikime të tilla, kemi ndryshime për karantinimin e kafshëve, jo të njerëzve. Kemi në plan për të bërë ndryshime për të mbushur një hapësirë që deri më tani ka qenë sa i përket karantinimit dhe një situatë të tillë pandemie. Nuk e kemi parashikuar në Kodin Penal, se çfarë ndodh në rast shkelje apo rrezikimi të jetës së njerëzve, duke i imituar ato. Nuk kemi ndërmend të bëjmë shpikje, por disa ndryshime që janë krejtësisht normale. Nuk ka lidhje me burgosjen e qytetarëve, por me mbrojtjen e qytetarëve që virusin mund të përdorin si armë për të vrarë të tjerët “, tha Spiropali.

/gj.mima//a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDenaj: 176 mijë individë mbështetje prej 40 mijë lekësh nga qeveria
Artikulli tjetërRama: Çdo hapje do të shoqërohet me tolerancë zero për abuzimet