COVID-19/ Garancia sovrane do të ketë një paketë të dytë

TIRANË, 2 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi mbrëmjen e së enjtes se do të ketë një paketë të dytë që do t’u vijë në ndihmë punonjësve të kompanive të mëdha, në kuadër të situatës së vështirë që po kalon vendi prej COVID-19, me pezullimin e aktivitetit të biznesit.

“Unë kam thënë që do të kemi një paketë të dytë, e kam thënë që ditën e parë. E kam thënë shumë qartë. Ata që dalin dhe bëjnë propozime universale tregojnë vetëm që nuk kuptojnë asgjë nga kjo që po ndodh, dhe fakti që ju përsëris diçka që jua kam thënë më përpara, dhe në rastin konkret është më aktuale se kurrë: lufta është shah. Lufta nuk është as bixhos, ku ti të luash bllofin, sepse ti mund të bësh bllofin dhe të biesh në një hon të zi ku nuk të gjen as virusi. Lufta nuk është as poezi, është shah. Që do të thotë: luan ti, luan dhe kundërshtari. Kush është kundërshtari? Është armiku i padukshëm dhe ne duhet të vlerësojmë se ecurinë e luftës bazuar në çfarë shifrash kemi dhe çfarë situatash kemi në front, dhe nga ana tjetër duhet të vlerësojmë se çfarë bëjnë të gjithë të tjerët, hap pas hapi, të ndihmojmë duke filluar nga poshtë lart dhe këtu kemi edhe përgjigjen tuaj për kompanitë e mëdha. Kompanitë e mëdha kanë marrë një garanci sovrane dhe të hënën fillon lëvrimi’.

Lidhur me garancinë sovrane, Rama u shpreh se një pjesë e punonjësve të kompanive të mëdha do të ndihmohen nga shteti dhe një pjesë nga vetë kompania. Për aplikimin e kësaj garancie sovrane, sipas Ramës duhet parë situata në vijimësi.

“E para, kam dëgjuar shumë edhe unë për garancinë sovrane që nuk do ta marrë njeri etj., etj. Unë ju sfidoj, jam i gatshëm pas 10 ditësh, pas 15 ditësh, unë të vij prapë këtu, ose më saktë kamera juaj të vijë prapë këtu tek unë dhe të shohim a do t’i kenë marrë apo jo kompanitë kreditë e garancisë sovrane për të mbajtur punëtorët në punë. Por kjo, nuk do të thotë që do të mbahen të gjithë punëtorët. Kjo do të thotë që një pjesë do të mbahen nga kompanitë dhe me pjesën tjetër, jemi ne që duhet të kujdesemi. Por të gjitha këto janë me faza, sepse duhet të shohim si shkon fluksi i kredisë, si shkon fluksi i nxjerrjeve nga puna për shkak të mungesës së kapacitetit pagues dhe brenda atyre që paguhen dhe brenda atyre që dalin nga puna ka kategori të ndryshme, sepse një pjesë paguhet nga vetë kompanitë me pagën e luftës, një pjesë nuk paguhen fare, kështu që ne do i shohim. Një pjesë brenda atyre që dalin nga puna paguhen me një pagë lufte nga kompanitë dhe nuk duhet të kërkojnë gjë tjetër, sepse nuk kanë çfarë kërkojnë tjetër në kohë lufte. Një pjesë tjetër që nuk janë pak, janë mijëra, nuk paguhen fare dhe ne po regjistrojmë çdo ditë, sepse kur kompanitë deklarojnë largimin, e fshijnë emrin e tyre aty dhe ne e marrim në kohë reale informacionin. Ama çdo shpenzimm se Shqipëria nuk është Amerika dhe se vetë Amerika nuk është duke lëshuar para akoma tani që flasim nëpër xhepat e askujtm dhe unë i sfidoj të gjithë ata që kanë njerëz në Amerikë, t’i marrin në telefon dhe të thonë: ju ka ardhur ndonjë lek deri tani? Nuk kanë marrë akoma ndihmën as në Amerikë dhe as në një vend të planetit për një arsye shumë të thjeshtë, sepse të gjitha qeveritë po shohin shifrat, të gjitha qeveritë po bëjnë llogaritë. Çdo qeveri, edhe qeveria e vendit më të pasur të botës, ka një llogari dhe nuk mund t’a shpërthejë”, – tha Rama. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.