PRISHTINË, 14 mars /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë njoftoi se kompanitë farmaceutike në Kosovë kanë filluar të ofrojnë materiale shëndetësore falas për të përballuar së bashku situatën që po krijohet nga përhapja e koronavirusit edhe në këtë vend. Më hereto Ministria e Shëndetësisë kishte njoftuar për nevoja që kishte për material mbrojtëse ndaj virusit në personelin shëndetësor.
Kështu kompania “Spitex” Kosova ka dhuruar 40 mijë maska mbrojtëse kirurgjikale, të cilat ia ka dorëzuar Ministrisë së Shëndetësisë. Gjithashtu edhe kompania “Green pharmacy” ka dhuruar 20 mijë maska për qytetarët, të cilat qytetarët mund t’i tërheqin falas në pikat e kompanisë: 1 maskë falas – 1 njeri.
MSH përmes një komunikate i falënderon të gjithë kontribuesit dhe nxit të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë në përballimin e situatës së koronavirusit COVID-19, që sa më shumë persona të pajisen me maska mbrojtëse gjatë zbatimit të masave parandaluese epidemiologjike.






















