TIRANË, 13 mars /ATSH/ Tirana është zgjuar mëngjesin e sotëm me rrugë të boshatisura, pas urdhrit për “shtetrrethim” për ndalimin e qarkullimit të automjeteve nga ora 06:00 e mëngjesit të sotëm deri në mesnatën e së dielës.
Të vetmet automjete që u panë në rrugët e Tiranës ishin ato që transportonin stafet e institucioneve të ndryshme, medieve, disa ambulanca, dhe ndonjë person që për të shkuar në punë kishte zgjedhur biçikletën.
Efektivët e policisë ndalonin automjetet duke u kërkuar udhëtarëve arsyen e lëvizjes, dhe mbi të gjitha nëse kishin marrë apo jo autorizim nga Policia e Shtetit.
Nëpërmjet videos së publikuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare shihet qartë se si rrugët e kryeqytetit janë të shkretuara pas urdhrit për ndalim të qarkullimit të automjeteve dhe për mbylljen e lokaleve, restoranteve dhe shumë bizneseve. Gjithashtu qytetarët janë të ftuar të qëndrojnë në shtëpi për të minimizuar sa më shumë përhapjen e koronavirusit në vendin tonë.
/gj.mima/













































