TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Presidenti Ilir Meta bëri sërish sot thirrje për pjesëmarrje në tubimin e 2 marsit, siç e konsideroi ai “kundër grushtit të shtetit dhe mbrojtjes, jo vetëm të integritetit të Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës, por të vetë shtetit tonë, kombit dhe interesit kombëtar”.
Meta renditi 8 hapa përmes së cilave sipas tij, “është realizuar grushti i shtetit”.
Hapi i parë, sipas tij, “është vjedhja e zgjedhjeve të 2017-ës dhe përdorimi i Policisë së Shtetit në manipulimin e zgjedhjeve:
“Hapi i dytë është kapja në mënyrë antikushtetuese e Prokurorisë me 69 vota (nga 84 vota të sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë, të miratuar me unanimitet me 140 vota), dhe bashkë me të edhe hetimin për të siguruar pandëshkueshmërinë totale të tyre, për të mbyllur çdo çështje penale që rëndon mbi ta dhe bashkëpunëtorët e tyre, për ta përdorur si mjet shantazhi ndaj kundërshtarëve politikë”, tha Meta.
Hapi i tretë, sipas tij, ka të bëjë me provokimin e braktisjes së Parlamentit nga opozita dhe zëvendësimin e 182 deputetëve dhe kandidatëve për deputetë të opozitës, në mënyrë anti-kushtetuese e të paligjshme, vetëm me një akt administrativ. Meta tha se “edhe sot pas një viti, Parlamenti është në gjendje të rëndë antikushtetuese (122 deputetë me letra nga 140 që kërkon Kushtetuta)”.
“Hapi i katërt: Përmes Parlamentit monist miratuan Rezolutë kundër dekreteve të Presidentit të Republikës për zgjedhjet e 30 qershorit. Organizata rilindase e partisë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve arriti deri aty sa rrëzoi edhe dekretet e Presidentit duke dhunuar haptas Kushtetutën. Mosbotimi i dekretit të Presidentit për 13 tetorin në Fletoren Zyrtare në kundërshtim me ligjin. Organizuan zgjedhje të paligjshme njëpartiake, kapën 100% pushtetin lokal dhe të 61 bashkitë u bënë moniste, bashkë me këshillat e tyre”, tha Meta.
Hapi i pestë, sipas tij, “ka të bëjë me miratimin e KÇK-së për të asgjësuar totalisht drejtësinë e për ta futur plotësisht në thundrën e qeverisë dhe të policisë, për të mbyllur çdo mundësi për ndëshkimin e kriminalizimit dhe korrupsionit të Rilindjes, si dhe për të përgjuar në mënyrë mafioze e të paligjshme këdo që i denoncon dhe thotë të vërtetat për ta.
“Hapi i gjashtë, për të kapur përfundimisht median dhe AMA-n, miratuan ligjin e ashtuquajtur “Antishpifje”, megjithëse Këshilli i Europës ishte totalisht kundër, aq sa u detyrua që po vetë ta çojë në Komisionin e Venecias. Hapi i shtatë është tentativa për kapjen e Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet falsifikimeve, mashtrimeve dhe shkeljes së Kushtetutës e ligjit nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani, nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe nga Kuvendi i Shqipërisë, duke bërë pjesë të grushtit të shtetit të gjithë institucionet e kapura totalisht nga qeveria. Ky hap kishte për qëllim asgjësimin përfundimtar, jo vetëm të pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese, por edhe të çdo mundësie për llogaridhënie në Republikën e Shqipërisë, duke vënë në pikëpyetje edhe sovranitetin dhe integritetin e vendit”, tha Meta.
Hapi i fundit, sipas Presidentit, “është miratimi antikushtetues i ligjit të betimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”. “Më pas u ka mbetur edhe hapi final: shkarkimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, me porosi të UDB-së, për të zgjedhur një President me “Etikë” që të lobojë dhe të firmosë për ndarjen e Kosovës dhe për çdo projekt tjetër antikombëtar. Por shqiptarët kanë 100 vjet që janë ndarë nga Esat pashë Tradhëtari”, tha ai. /m.m/






















