TIRANË, 29 janar /ATSH/ -Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka deklaruar se, drita jeshile për hapjen e negociatave pritet pas publikimit të metodologjisë së re të zgjerimit, e cila nga ana tjetër pritet të kënaqë dhe vendet që janë skeptike për zgjerimin.
Në një intervistë televizive në Bruksel, Balla ka folur pas takimit në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të BE-së mbi mundësinë e hapjes së negociatave në fund të marsit.
I pyetur se cila ishte vlera e shtuar e këtij takimi, ai u shpreh se ishte përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Presidenti i PE, Sassoli, Presidenti i parlamentit të Kroacisë vend anëtar dhe 6 parlamentet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë sot në një shprehje domethënëse e një fakti kuptimplotë se BE-ja, por në mënyrë të veçantë PE, e shikon Ballkanin Perëndimor ndër vendet e ardhshme që do i bashkohen familjes europiane”, tha Balla.
“Për këtë qëllim jemi sot këtu pikërisht në një moment historik do ta quaja edhe për atë që lidhet me publikimin javën e ardhshme të metodologjisë së re të zgjerimit, e cila unë besoj që do të kënaqë ndonjë prej vendeve anëtare, të cilat donin që përpara se të fillojë zgjerimi duhej reformuar mënyra e vlerësimit të vendeve. Pra mënyra dhe procesi i zgjerimit. Jam shpresëplotë qoftë nga dje në Berlin dhe sot këtu në Bruksel se Këshilli Europian në mos gaboj i 26 marsit, nëse nuk do të ketë ndryshim të datave, do të ketë një vendim pozitiv për t’i hapur rrugë fillimit të bisedimeve edhe me dy vendet”, u shpreh Balla.
“Ajo që do të thosha është se ajo që kemi diskutuar së bashku me Kryetarin e Kuvendit, z. Ruçi dhe e kemi diskutuar edhe me miqtë e tjerë është që përveç Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të cilat hyjnë në një stad tjetër, atë të bisedimeve për anëtarësim është shumë e rëndësishme garantimi i një të ardhmeje të përbashkët europiane edhe për Kosovën edhe për Bosnje – Hercegovinën. Kujtoj këtu që të dyja vendet potencialisht kandidate për BE dhe që duhet të ecin përpara edhe më hapin tjetër të një procesi që do t’i japi kandidatin zyrtar edhe Kosovës edhe Bosnje – Hercegovinës”, theksoi Balla
Në kuadër të bisedimeve në Bruksel, mbi atë që cilësohet si “e ardhmja e Europës”, i pyetur nëse Ballkani duhet të përfshihet që në këtë fazë për të marrë pjesë në rishkrimin e traktateve të Bashkimit Europian, Balla tha se, “në deklaratën e përbashkët të Samitit e kemi rishprehur nevojën e përfshirjes së gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe në Konferencën Europiane”.
Ai pohoi se, “ju e dini që pozicioni i Parlamentit Europian është i qartë në Rezolutën e miratuar në fillim të këtij viti, ku kërkohet dhe bëhet e qartë që dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë të përfshira në procesin e zgjerimit duhet të kenë përfaqësimin e tyre”.
“Kujtoj këtu që Konferenca Europiane do të jetë një forum, i cili do të sjellë bashkë Këshillin Europian me vendet anëtare, parlamentin Europian, Komisionin, por edhe parlamentet e vendeve anëtare. Diçka që nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë. Sepse të gjithë biem dakord që PE është para një sfide të rëndësishme. Një sfidë e cila që jo vetëm duhet të ketë në synimin e vet reformimin e librave të rregullave të funksionimit të PE. Kujtojë këtu që rasti i 17-18 tetorit, pra i Këshillit Europian kur nuk u arrit të merrej një vendim për hapjen e fillimeve të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut edhe pse 25 vende anëtare ishin në favor të fillimit të bisedimeve, apo 24. Kjo tregoi që të njëjtat libra rregullash, këtu e 60 vite më parë, duhen rindryshuar, sepse jo çdo gjë mund të arrihet me konsensus këtu në BE. Por sfidat e Konferencës Europiane janë shumë herë më të mëdha se këto, duhet të kuptojmë që jetojmë në një botë tërësisht ndryshe, e cila duhet të marrë në analizë edhe pozicionin gjeostrategjik, qoftë në planin ekonomik apo në këndvështrime të tjera strategjike të sigurisë, të politikave dhe të qasjes që BE duhet të ketë”, tha Balla.
I pyetur se çfarë hapash ka ndërmarrë Shqipëria për të përmbushur kushtet e kërkuara nga Franca dhe Holanda, pra çështja e azilkërkuesve si dhe problemet me krimin e organizuar në mënyrë që në mars të kemi sa më shumë shanse,
Balla ka pohuar se, “lidhur me çështjen e azilkërkuesve në Francë unë mendoj që ne i kemi marrë të gjitha masat e domosdoshme që lidhen, jo vetëm me kontrollin e shtuar në pikat kufitare shqiptare të personave vulnerabël për t’u kthyer në azilkërkues në Francë. Edhe pse duhet ta theksoj dhe nuk kam ngurruar ta hem me zë të lartë edhe këtu në PE, që është mirë që Franca të bëjë të njëjtën gjë që ka bërë dhe Gjermania para pak kohësh, për të ndryshuar legjislacionin e vet, i cili është pak friendly (miqësor) me abuzuesit që kërkojnë azil”.
“Ndërkohë përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në mënyrë të veçantë për krimin e organizuar, besoj jeni të informuar, dhe në javët e ardhshme, të njëjtën gjë kemi bërë dje me Kancelaren Merkel ku i kemi shpjeguar paketën, që ne e kemi quajtur “paketa kundër KÇK-së”, e që sa i përket luftës kundër krimit të organizuar asnjëherë më parë në Shqipëri nuk është goditur krimi i organizuar siç do të goditet në javët e ardhshme sepse momenti parë i goditjes duhet të jetë kundër aseteve të krijuara për shkak të veprimtarive kriminale”, u shpreh Balla.
“Unë dua të them se kemi gjetur qoftë dje në Berlin, qoftë këtu në Bruksel mbështetjen e partnerëve tanë europianë për të përgatitur dhe për të votuar në Kuvendin e Shqipërisë sa më shpejt një paketë që do jetë një model që mund ta ndjekin më pas edhe vende të tjera për të goditur të ardhurat që sigurohen përmes veprimtarive kriminale”, theksoi ai.
I pyetur nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të bindur vendet skeptike para Samitit të marsit, ai u shpreh se, “ne gjithmonë e kemi thënë, ne nuk bëjmë fushata sa herë që ka Komision Europian, por ne bëjmë detyrat e shtëpisë për të garantuar forcën e ligjit dhe shtetit ligjor në Shqipëri”.
“Duhet të kuptojmë që i tërë procesi i integrimit europian nuk është një proces, ku një vend aspirant bën reforma për të mbushur mendjen e vendeve anëtare. Por unë bëj pjesë në ata politikanë që bashkëndaj vlerësimin se procesi i integrimit europian është një proces që në radhë të parë i bën mirë interesave të qytetarëve të Shqipërisë, pastaj kënaq pritshmëritë e atyre që na monitorojnë dhe marrin vendimet për të na pranuar ose jo”, tha Balla.
/gj.mima/













