Ballina Aktualitet

Përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të BE-së/ Koordinim më i shpejtë midis 38 institucioneve

TIRANË, 22 janar/ATSH-A. Fortuzi/-Ministria e Drejtësisë ka zhvilluar dy takimet e radhës të grupit ndërinstitucional të punës për Integrimin Europian, ku në fokus ishin hapat konkrete në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian, sa i takon drejtësisë, “Kapitullit 23”.

“Fokusi  tek integrimi evropian sot, me dy takimet e radhës të grupit ndërinstitucional të punës për Integrimin Europian”,- njoftoi zv.ministrja e Drejtësisë, Fjoralba Caka.

“Ministria e Drejtësisë  në rolin e liderit për “Kriterin Politik” dhe Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, dakordësoi me institucionet bashkëpërgjegjëse marrjen e hapave konkretë për hartimin e tabelave të mangësive ligjore midis legjislacionit shqiptar dhe acquis-së së BE në fushën e gjyqësorit, antikorrupsionit dhe të drejtave të njeriut”,- sqaron Caka.

“Në këtë takim ndamë sfidat për një koordinim më të shpejtë midis 38 institucioneve, me qëllim raportimin cilësor dhe në kohë pranë strukturave europiane.

Dedikuam në takim edhe një hapësirë për miratimin me unanimitet të ngritjes së tryezave të partneritetit me shoqërinë civile dhe botën akademike për të diskutuar dhe ndarë eksperiencat në fushat që mbulon Kapitulli 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”. Dialogu institucional është çelësi për të përmirësuar çdo proces”,- nënvizoi zv.ministrja Fjoralba Caka. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPOLONI – Duda: Putin përhap gënjeshtra historike mbi LIIB
Artikulli tjetër“Mercedes Benz Aegean Cup”, Shqipëria e mbyll turneun në vendin e 4-t