BERLIN, 20 janar /ATSH-AFP/ – Drejtuesit e vendeve kryesore të prekura nga konflikti në Libi kërkuan një ndërprerje të armiqësive dhe një armëpushim të përhershëm, në këtë vend të shkatërruar nga lufta, në samitin e djeshëm në Berlin.
“Ne u kërkojmë të gjitha palëve të përfshira në konflikt të rrisin përpjekjet për një ndërprerje afatgjatë të armiqësive, të përshkallëzimit dhe një armëpushim të përhershëm”, konfirmuan ata në një komunikatë përfundimtare në përfundim të konferencës ndërkombëtare që u mbajt dje në Berlin.
Liderë dhe zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, presidentin rus Vladimir Putin, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik Boris Johnson u mblodhën dje në Gjermani, në një përpjekje për arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm në Libi dhe hapjen e rrugës për zgjidhje politike.
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres bashkëkryesuan Konferencën e Berlinit, që synoi një angazhim më të fortë nga fuqitë botërore dhe aktorët rajonalë për mosndërhyrjen në Libi dhe për të mbështetur armëpushimin dhe embargon e armëve të OKB-së.
Presidenti turk Erdogan, i cili ndërmjetësoi përpjekjen e armëpushimit fundjavën e kaluar së bashku me homologun rus Putin, i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare që të marrë më shumë përgjegjësi për t’i dhënë fund dhunës në vendin afrikan./ /ec/ a.jor.























