TIRANË, 16 janar /ATSH-Gjergji Mima/ Qarku i Lezhës ka qenë një nga qarqet më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, ku mbi 30% e godinave u dëmtuan.
Përfaqësuesi i Komitetit Ndërministror për Emergjencat Civile në qarkun e Lezhës, Etjen Xhafaj deklaroi në një intervistë në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare se aktualisht janë 1157 familje, të cilat janë trajtuar me bonusin e qirasë në të gjitha bashkitë e këtij qarku, teksa 1790 qytetarë janë vendosur në 462 çadra dimërore.
“Aktualisht jemi duke kaluar nga faza e parë në fazën e dytë të menaxhimit të emergjencës civile. Qarku i Lezhës ka qenë një nga qarqet më të prekura dhe siç e ka treguar dhe një studim i World Vision, bashkia e Kurbinit ka qenë një nga bashkitë më të prekura në nivel kombëtar, më e prekura në fakt sa i përket përqindjes së godinave të dëmtuara. Fatmirësisht nuk ka pasur humbje jetësh, me një përjashtim, por në nivel dëmtimi godinash mund të themi që kemi një dëmtim mbi 30% të godinave, qoftë pallateve, qoftë edhe shtëpive, private, një numër të madh institucionesh publike, të cilat janë të dëmtuara”, – tha Xhafaj.
“Faza e parë ka menaxhimi i situatës së emergjencës, sistemimi i banorëve, të cilët janë nxjerrë apo evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe nga apartamentet e tyre sepse kanë qenë të pasigurta për jetën. Konstatimi i të gjithë godinave ku ne kemi parë më tepër se 4 mijë godina në nivel qarku, të cilat janë vlerësuar dhe pastaj janë bërë shpalljet e atyre që ishin të pabanueshme. Dhe pastaj duke filluar nga java e dytë e dhjetorit dhe deri tani janë marrë një sërë vendimesh për të pajisur qytetarët me bonuset e qirave dhe për t’u mundësuar atyre një strehim të përkohshëm, deri në kohën që do të rifillojë procesi i rindërtimit”, – shtoi ai.
“Të shtunën e shkuar kemi pasur, bashkë me Kryeministrin dhe Ministrin e Shtetit për Rindërtim, edhe ministrin turk të Mjedisit, edhe agjencitë respektive, të cilat do të merren me fillimin e këtij procesi. Kemi bërë një shtjellim tërësor të tokës dhe tani jemi duke ndërmarrë hapat e para, qoftë në drejtim të përgatitjes për rindërtim, por qoftë edhe për të parë mundësitë për të vazhduar menaxhimin e situatës dhe normalizimin e kushteve për qytetarët”, theksoi Xhafaj.
I pyetur se sa është numri i qytetarëve të cilët ndodhen në çadra, ai tha se, “aktualisht në të gjithë qarkun e Lezhës janë të vendosura 462 çadra dimërore, në të cilat janë të vendosur 1790 qytetarë. Një pjesë e tyre janë pajisur dhe me bonuse qiraje, në mënyrë që kryefamiljarët që duan të rrinë pranë pronës dhe ekonomive të tyre familjare të kenë mundësi të rrinë aty, por sigurisht familjet të kenë mundësi gjithashtu të jetojnë në kushte komode, në kushte pak më të mira. Ne u jemi gjendur pranë të gjithë banorëve, të cilët kanë bërë këto kërkesa, qoftë pranë numrave të gjelbër të bashkive respektive, qoftë pranë numrit të emergjencës civile për qarkun e Lezhës, qoftë edhe pastaj pranë numrave dhe platformës së bashkëqeverisjes”.
Sa i përket personave që janë strehuar përkohësisht në hotele, Xhafaj tha se, “transferimi i tyre ka nisur, por në mënyrë krejt vullnetare dhe normale. Sigurisht që në momentin e parë që është marrë vendimi i Këshillit të Ministrave sa i përket bonusit të qirave, një nga vendet e para ku kanë shkuar operatorët nga të trija bashkitë, për t’i ndihmuar banorët të përmbushnin këto aplikime kanë qenë të tre hotelet, ‘Frojdi’, ‘Ermiri’ dhe ‘Rafaelo’ që janë tre hotele të zonës së Shëngjinit, ku janë të përqendruar pjesa më e madhe e banorëve të qarkut, të cilët janë të zhvendosur në hotele dhe një pjesë e banorëve të Thumanës”.
“Deri tani kemi 778 persona që janë ende të vendosur në këto hotele, që gjejmë rastin edhe ti falënderojmë sepse kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, qoftë për t’iu gjendur pranë qytetarëve. Se duhet të kemi parasysh që kanë qenë më shumë se 1400. Dhe qoftë edhe për të mundësuar administrimin e shërbimeve bazë, pra shërbimit mjekësor të ndihmave dhe gjithashtu vazhdojnë të bashkëpunojnë me qendrën e emergjencave civile me zyrën e Prefektit, me të trija bashkitë dhe me bashkinë e Krujës nuk diskutohet, për të ndihmuar qytetarët edhe tani megjithëse kanë kaluar 7 javë nga tërmeti i 26 nëntorit”, – u shpreh Xhafaj.
I pyetur se sa është numri numri i familjeve të cilat janë trajtuar me bonusin e qirasë në këtë qark, Xhafaj tha se, “në të gjithë qarkun kemi 1157 familje, të cilat janë trajtuar deri tani me bonusin e qirasë, në bazë të 8 vendimeve të këshillave respektive bashkiakë, ku janë marrë 5 vendime nga bashkia e Kurbinit në 5 mbledhje të ndryshme, 2 nga bashkia Lezhë dhe 1 nga bashkia Mirditë. Janë 802 familje nga Kurbini, 333 familje nga bashkia Lezhë dhe 22 familje nga Mirdita”.
Sa i përket situatës së pallateve të dëmtuara, Xhafaj u shpreh se, “situata e pallateve të dëmtuara është një gjë që duhet ta sqarojmë shumë qartë edhe për banorët e qarkut. Faza e parë ka qenë faza e konstatimit, ku kemi vlerësuar në qoftë se pallatet ishin të dëmtuar dhe kishin siguri për jetesën e banorëve. Kjo do të thotë që kemi shkuar për t’u siguruar dhe për normalitetin e kushteve brenda pallatit duke pasur parasysh që kanë vazhduar lëkundjet edhe pas tërmetit të 26 nëntorit. Kemi pasur më shumë se 2 mijë lëkundje të tjera. Pra ka qenë një fazë konstatimi në të cilën jemi rikthyer disa herë nëpër të njëjtat pallate për t’u siguruar që ato nuk kanë paraqitur rrezikshmëri për jetën e banorëve. Kjo ka qenë faza e parë faza e menaxhimit të emergjencës. Pra faza kur sigurohemi që të gjithë janë në rregull. U kemi bërë njoftime pranë dyerve të të gjithë këtyre pallateve dhe pastaj jemi përpjekur që t’i ndihmojmë të gjithë këto njerëz, qoftë nëpërmjet bonusit të qirave dhe në rastet e pa aplikueshme kur kishte nevojë për ndihmë kemi kontaktuar të gjitha agjencitë apo edhe OJQ-të, të cilat janë ofruar për të bashkëpunuar me shtabin e Emergjencave Civile të Qarkut Lezhë në këtë drejtim”.
“Tek faza e dytë, – nënvizoi Xhafaj, – është faza e vlerësimit të dëmit, pra kur kalojmë nga konstatimi tek vlerësimi qoftë i llojit të ndërhyrjes, qoftë i nevojës imediate. Dhe ka VKM, ka një kuadër shumë të gjerë legjislativ që ka të bëjë qoftë me Emergjencat Civile, qoftë edhe me procedurat normale, pra në kohë të zakonshme, të cilat specifikojnë sesi është ky vlerësim. Pra nëse kostot e riparimit të pallatit do të jenë më shumë se 70% e kostos së pallatit, sipas çmimeve të referencës, atëherë ky duhet rindërtuar. Aktualisht nga bashkia Kurbin dhe në bashkinë Lezhë kanë filluar vlerësimet e dëmeve, ku po bëhen vlerësimet e detajuara, pra ku shkohet pallat më pallat dhe flitet me qytetarët, shikohet çdo apartament, vlerësohet strukturalisht godina, pastaj vlerësohet edhe muratura e brendshme, në mënyrë që të kemi mundësi që të bëjmë një vlerësim sa më të plotë mbi fortësinë dhe rezistencën e strukturave të ndërtimit dhe që pastaj të ketë mundësi në bazë të këtij vlerësimi që po bëhet aktualisht nga grupet e ngritura nga Instituti i Ndërtimit sipas VKM-së të datës 30 dhjetorit dhe pastaj edhe akteve të tjera të cilat e kanë ndjekur atë, për të ngritur grupe vlerësimi dhe për të vlerësuar në mënyrë të hollësishme dhe pastaj për të dhënë diagnozën për gjendjen strukturore të godinave duke parashikuar gjithashtu edhe ndërhyrjen, në rast se do të ketë nevojë për shembje dhe rindërtim, apo në rast se do ketë nevojë për përforcim të muraturës apo elemente të tjera strukturore të ndërtesave”.
Sa i përket premtimit të Turqisë për ndërtimin e 500 banesave në Laç, dhe a është identifikuar trualli ku do të ndërtohen këto banesa, Xhafaj tha se, “gjatë gjithë periudhës që jemi marrë me menaxhimin e emergjencës civile, sigurisht edhe në Tiranë edhe pranë shtabit të Emergjencës Civile në Lezhë ka pasur ekipe të veçanta të cilat janë marrë me rishikimin e kthimit në normalitet. Pra janë marrë me vlerësimin zonal, me ndarjen e hartave dhe me transkriptimin e të gjithë dëmeve në terren në harta, për të parë si pjesën gjeologjike të zonës po ashtu dhe mundësitë hapësinore për të filluar nga rindërtimi. Sigurisht, siç e pamë ditën e shtunë kur kryeministri erdhi bashkë me ministrin e Mjedisit turk fillimi i saj do të bëhet në Laç dhe është zgjedhur specifikisht zona përballë bashkisë apo spitalit, që është zona e 7 pallateve të cilat tanimë janë shembur dhe e gjithë zona është pastruar. Ku do të fillojë rindërtimi i një lagjeje tërësisht të re me standarde dhe me godina për të gjithë ata qytetarë që i kanë humbur banesat e tyre”.
“Në vijim jemi duke vlerësuar edhe dy zona të tjera për të parë llojin e ndërhyrjeve, qoftë për rindërtime, qoftë edhe për riparime të pallateve që gjenden në këto zona”, – shtoi ai.
Sa i përket spitalit të Laçit, i cili u dëmtua nga tërmeti, Xhafaj tha se, “është një nga ato shembujt tipik që dëmi i tërmetit të parë, apo i goditjeve të para në datën 26 dhe 27 nëntor ishte i limituar, por me kalimin e kohës duke vlerësuar edhe moshën e vjetër të godinës, dëmi u përhap dhe rrjedhimisht u detyruam të ndërhyjmë për të spostuar të gjithë funksionet e spitalit në drejtim të Lezhës dhe aktualisht këto ditë do të bëhet vlerësimi i godinës së spitalit për të vendosur masën që do të merret dhe me gjasa do të ketë nevojë për të rindërtuar këtë godinë, sepse do të duhet që t’i përgjigjemi standardeve të mjekësisë botërore dhe sigurisht, sigurisë për jetën të të gjithë atyre qytetarëve të cilët shkojnë për të zgjidhur një hall shëndetësor dhe po trajtohet aktualisht që po flasim”.
Sa i përket gjendjes së shkollave të dëmtuara nga tërmeti, dhe nxënësve që shkonin në këto shkolla, Xhafaj u shpreh se, “nga 97 shkolla që janë në tërësi në të gjithë Qarkun, 7 janë aktualisht të mbyllura, 6 për arsye të dëmtimeve që kanë pasur si pasojë e tërmetit dhe 1 që është aktualisht në fazë rindërtimi. Nxënësit e këtyre 6 shkollave janë lëvizur drejt shkollave të tjera, ku aktualisht është duke u bërë mësimi me dy turne. Në ato raste kur është kërkuar një gjë e tillë, sidomos sa i përket qytetarëve të vendosur në hotelet e Shëngjinit, janë marrë masa për të siguruar transportin për fëmijët e tyre për të pasur mundësi që të shkojnë rregullisht në shkollë”.
“Aktualisht jemi duke filluar edhe vlerësimin e shkollave për të parë pastaj edhe nëpërmjet programit të rindërtimit ndërhyrjet që do të jenë të nevojshme sipas specifikave të secilës shkollë dhe gjithashtu duke bërë vlerësime të detajuara për llojin e ndërhyrjeve në ato shkolla të cilat nuk janë të dëmtuara masivisht, po ku do të ndërhyhet gjithsesi, sepse siguria e fëmijëve vjen para së gjithash”, – u shpreh Xhafaj.
“Kemi pasur dhe një valë solidariteti nga shumë subjekte si brenda vendit, edhe nga jashtë për të ndihmuar me këtë rindërtim. Nuk diskutohet që kjo do të ndodhë sipas të gjitha hallkave dhe procedurave të domosdoshme në këto raste, duke filluar nga vlerësimi strukturor, duke kaluar pastaj nëpër hallkat e tjera deri sa të arrijmë tek rindërtimi që është një fazë që ne duam të lëvizim shumë shpejt përpara dhe ashtu siç e tha dhe kryeministri para disa ditësh në Laç, duhet të fillojmë në fillim të marsit, në mënyrë që në bashkëpunim me agjencitë turke dhe në bashkëpunim me të gjithë komunitetin, i cili, për hir të së vërtetës, ka qenë mjaft mirëkuptues gjatë gjithë kësaj kohe pavarësisht emergjencës dhe pavarësisht frikës që është gjëja më normale në këto raste. Por në mënyrë që këta qytetarë të kenë mundësi që një pjesë të tyre të fillojmë t’i akomodojmë që nga vera nëpër apartamentet e reja”, – tha Xhafaj.






















