Ballina Bota

ZVICËR – Votim për përfundimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me BE-në

GJENEVË, 15 janar /ATSH-AFP/ – Zviceranët do të votojnë më 17 maj për përfundimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me Bashkimin Europian, kërkuar nga e djathta popullore por hedhur poshtë nga qeveria, sipas kalendarit zgjedhor të vendosur të mërkurën.

Zvicra drejtohet nga një sistem demokratik gjysmë i drejtpërdrejtë që mundëson për popullin kalimin e ligjeve në referendume popullore, të quajtuara nisma. Nëse ato miratohen, përfshihen më pas në Kushtetutë.

Gjatë seancës së përjavshme, qeveria ka vendosur më 17 maj votimin e iniciativës popullore “Për një imigracion të moderuar” që kërkon që Zvicra të zgjidhë në mënyrë autonome imigracionin e të huajve dhe që, nëse pranohet, do të çonte në përfundimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë të personave mes Zvicrës dhe BE-së.

Zvicra ka nënshkruar një marrëveshje në 1999 për lëvizjen e lirë me BE-në. Edhe pse Zvicra nuk është shtet anëtar i Bashkimit Europian, që prej asaj kohe qytetarët e BE lejohen të migrojnë në Zvicër thuajse pa kufizime./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTURQI – Sekuestrohen 127 milionë dollarë të falsifikuar
Artikulli tjetërShqipëria dëbon 2 diplomatë të Ambasadës së Iranit